Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” në Tv Klan, Xhemilja ka thirrur dy fëmijët e saj, Rexhinën dhe Eraldin. Prej vitesh, siç tregoi më herët gjatë pjesës së programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, brenga e saj ka qenë se fëmijët detyrohej t’i linte vetëm në shtëpi kur ishin fare të vegjël. Nevoja për punë, për të siguruar jetesën dhe të ardhmen e tyre e bën të ndihet fajtore që nuk i ka qëndruar dot pranë.
Sot, është Xhemilja ajo që ka më shumë nevojë për ta. Ajo ndodhet në luftë me kancerin, të cilin po përpiqet me çdo kusht ta mposhtë dhe arsyeja janë pikërisht fëmijët. Teksa u kërkon falje, ajo u jep premtimin se do të luftojë dhe nuk do të mundet. E meqë jemi edhe në muajin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit, në Tetorin rozë, ajo iu drejtohet me fjalë të forta edhe atyre që janë bashkëudhëtarë të saj në këtë rrugëtim sfidues.
Xhemile: Faleminderit Rexhina e Erald. Dua t’ju jap mami një mesazh. Në radhë të parë dua t’ju kërkoj falje. Shumë vite ju kam lënë vetëm. Ikja në punë, nuk kisha mundësi të rrija. Hallet na çonin, na detyronin të punonim.
Rexhina: S’ka nevojë të kërkosh falje. Ti e ke bërë çdo gjë për të mirën tonë.
Xhemile: Pastaj një falënderim të madh për gjithë këtë që po më bëni, po më kuroni nga dita –ditës dhe keni lënë impenjimet tuaja. Rexhina ka lënë edhe shkollën për mua, Eraldi edhe punën, edhe pse ishte i operuar shkonte e vinte. Mami do ju thojë diçka, jua kam thënë edhe në shtëpi. Unë jam e fortë. Unë këtë luftë do ta fitoj. Kur shkon në luftë, e kam thënë gjithnjë, shkon për të fituar, nuk shkon për të humbur. Unë jam një luftarake shumë e madhe. Do ta fitoj.
Erald: Do ta fitojmë së bashku.
Rexhina: Je heroina jonë, dihet që do ta fitosh. Do jesh më e fortë se më parë, afër nesh. Ne të duam shumë.
Xhemile: Edhe unë ju dua me gjithë zemër, me gjithë shpirt. Kaloj edhe malet në këmbë për ju. Çdo gjë bëj për ju. Falë Ardit Gjebresë që kemi ardhur sot, që ta marrin vesh, jo se janë fëmijët e mi, por çdo nënë ka për fëmijën e vet. Mami do të japë edhe një mesazh për gjithë të sëmurët si puna ime, që mos ta lënë veten pas dore, asnjëherë. Kush është prind, të mendojë për fëmijën, kur isha atje që më thonin bëhesh, nuk bëhesh, rrija me morfinë, i thoja, jo unë do ta kaloj këtë.
Pse? Unë kam fëmijë në shtëpi, më presin fëmijët. Kush është i ri, të mendojë për prindërit. Asnjëherë mos të dorëzohen se kjo sëmundje është shumë e tmerrshme. Unë po dridhem komplet kur flas për këtë sëmundje se vetëm shpirti ma di. Por asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi. Asnjëherë.