Vrasjet me pagesë nuk janë krimet e vetme që dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj rrëfyen për hetuesit në Durrës. Në materialin hetimor që Tv Klan disponon, dy vëllezërit japin detaje edhe mbi përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës me personazh kryesor, Ilirjan Feçin dhe dy persona ende të paidentifikuar.
Takimi për trafikun e drogës është zhvilluar në një lokal në Durrës, ku Ilirjan Feçi dhe dy personat e tjerë kanë folur për të transportuar kokainë drejt Zvicrës. Ndërkohë lënda narkotike do kalonte nëpërmjet Francës.
“Kam ndenjur disa herë me shtetasin Ilirjan Feçi i cili më thotë se kishte qenë në Francë dhe kishte gjetur linja shumë të fuqishme kokaine. Bashkë me Ilirin kemi takuar dy djem te lokal M. në Durrës, të panjohur për mua dhe vëllain tim, që ishin të interesuar për blerjen e drogës. Por kjo punë nuk u bë pasi unë i thashë që hapi sytë se mund të të vrasin me këtë lloj sasie, pasi bëhej fjalë për 100-200 kg kokainë, që do të transportohej çdo javë dhe do kalonte nga Franca dhe ata çunat e donin në Zvicër. Këta djemtë siç thashë nuk i njihja vetë, por nga biseda kuptova që ata ishin kushërinj të një mikut të ngushtë të Ilirjanit nga Fushë Kruja”, ka dëshmuar Indrit Beqiraj.
Dy personat e interesuar për të blerë kokainën dhe transportuar atë deri në Zvicër sipas Beqirajt, lëviznin me një makinë Golf 5, ndërsa pas këtij takimi, Ilirjan Feçi arrestohet si i implikuar në disa ngjarje të rrëfyera nga Nuredin Dumani dhe nuk e realizoi dot trafikun.
/f.s