Zvicra është një nga vendet që del gjithmonë me vlerësimet më të larta në të gjitha renditjet që kanë të bëjnë me të ardhurat vjetore, cilësinë e jetës dhe shërbimet. Por vendi i pasur europian, me sa duket nuk merr notën kaluese në një fushë delikate si ajo e racizmit.
Një raport ekspertësh të Kombeve të Bashkuara, pas një seri vrojtimesh në terren, ka evidentuar shkelje të rënda kundrejt emigrantëve me origjinë afrikane nga ana e forcave të policisë.
Shkeljet e forcave të policisë zvicerane variojnë nga “arrestime brutale, sharje me sfond racist, dhunë, trajtim poshtërues dhe përforcim i stereotipave negative”. Çka është edhe më e rëndë, shkeljet e forcave të rendit duket sikur mbulohen, minimizohen dhe në disa raste “mbështeten nga sistemi gjyqësor”, sipas fjalës të presidentit të grupit të punës, Catherine Namakula.
Përtej forcave policore, raporti i OKB-së del me një klimë aspak miqësore në atë vend për emigrantët me origjinë afrikane, të portretizuar edhe në opinionin publik si “ trafikantë droge, parazitë socialë në kërkim të azilit”.
Raporti i bën apel autoriteteve ligjzbatuese në Zvicër për të hapur hetime mbi vdekjet e shumta të ndodhura në burgje dhe në qendrat e emigrantëve, si dhe fuqizimin e masave kundër racizmit.
/a.r