Më shumë se 40 liderë nga e gjithë Evropa priten sot në Pragë për të marrë pjesë në takimin përurues të Komunitetit Politik Evropian.
Nga Praga, kryeministri Edi Rama ka folur para Takimit të Komunitetit Politik Europian.
“Nuk është një ide e re, është ide e vjetër. Takimi do të vazhdojë dhe shpresoj të ndërtojmë diçka për njerëzit tanë. Kjo ide rilindi pasi pati një krizë, shpresoj të mos ketë një krizë tjetër për të pasur një tjetër takim” tha Rama.
Kreu i qeverisë ka thënë për mediat e pranishme atje se është e nevojshme që shtetet europiane të jenë së bashku.
“Sigurisht nuk është një ide e re, është një ide shumë e vjetër, por rilind në kohë krizash dhe shpresoj që mos ketë nevojë për një krizë tjetër për të mbajtur një takim të tillë. Por nga ky takim do të bëjmë përpara dhe do të vijomë të ndërtojmë diçka shumë të rëndësishme për komunitetin e madh të shteteve europiane dhe njerëzve. Shqipëria është pjesë e një rajoni që është Ballkani Perëndimor, i rrethuar nga shtete europiane dhe për ne është thelbësore që teksa nuk jemi BE, por E pa B të jemi me ju”, tha Rama për gazetarët.
Qëllimi i forumit të ri është përmirësimi i bashkëpunimit midis vendeve evropiane përtej kufijve të Bashkimit Evropian, si Britania e Madhe, Turqia, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rajonit të Kaukazit.
Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal do të marrë pjesë personalisht ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky do të bashkohet me video.
Veç problemeve ekonomike, udhëheqësit do të mbajnë bisedime mbi ndryshimin e klimës, krizën energjetike dhe pushtimin rus të Ukrainës. Diskutimet do të pasohen nga takime dypalëshe.
/e.d