Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa pamje gjatë punimeve në Urën e Madhe të Kukësit. Teksa e konsideroi si një spektakël inxhinerik, kryeministri Rama tha se e nënvlerësuan dhe “u tallën” me projektin ku prezantua në 3D.
“Mirmëngjes dhe nga puna në Urën e Madhe të Kukësit, për të cilën s’keni lënë përqeshje pa më bërë kur jua tregova në 3D dhe e cila do ta kthejë kalimin e lumit nga një grykë sekëlldisëse shisheje, në një spektakël mbresëlënës inxhinierik, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.
Ura e Madhe e Kukësit, që është pjesë e Rrugës së Kombit do të zëvendësojë urën e vjetër ekzistuese që ka më shumë se 45 vite. Më herët vetë kryeministri Rama ka thënë se kjo urë e vjetër do të qëndrojë si relike e kohës dhe nuk do të shërbejë më as si urë kalimi për rrugë dytësore.
Ura do të ketë një gjatësi prej 310 metrash dhe struktura e saj mbajtëse kryesore do të jetë prej çeliku special. Ura e Madhe e Kukësit do ketë dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa gjatësia e saj do të jetë konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme. Ura e re do të bashkojë brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit.
/e.d