Është nënshkruar sot marrëveshja e bashkëpunimit mes Albgaz dhe kompanisë spanjolle ENAGAS, duke i hapur rrugë të dyja palëve për të punuar dhe ndërvepruar së bashku sa i takon projekteve të rëndësishme që Qeveria Shqiptare ka në sektorin e gazit.
E pranishme ishte zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Balluku tha se ky është një moment i veçantë për Shqipërinë, pasi pavarësisht se prodhojmë 100% të energjisë së rinovueshme, sërish kemi nevojë për burime alternative.
Balluku: Duke nisur nga 2020 na është dashur të mblidhemi të firmosim marrëveshje që ndoshta për publikun duken sikur nuk janë aksione të vërteta. Sot është një ditë e veçantë. Ne i kemi hapur rrugë në një periudhë të vështirë përgjatë verës, për të pasur rezultate sot.
Në javën e parë të tetorit kemi arritur të konkludojmë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila vendos në një kuadër të pastër ligjor hapat që do të hedhim në të ardhmen. Nuk ka asnjë shtet i cili është imun nga kriza që ka krijuar në ditët e sotme energjia. Nuk është thjesht çështja e çmimit, nuk është thjesht tregu që po sillet në një mënyrë të paprecedent, por ka të bëjë me sigurimin e energjisë.
Shqipëria ka qenë imune nga problemi i gazit rus, por nga ana tjetër ne nuk jemi imunë nga importet e energjisë elektrike. ne prodhojmë 100% energji të rinovueshme, por edhe në ditët më të mira energjia nuk është më shumë se 75% e nevojës të tregut. Ne jemi të detyruar që 25% ta blejmë në import. Asnjë shtet nuk është i përgatitur për të përballuar këtë krizë energjitike. Energjia e rinovueshme është një prioritet për Shqipërinë. Sot ka nisur ndërtimi i disa parqeve fotovoltaike.
Por shpesh janë energji të rinovueshme shpesh herë të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike. Për të pasur një burim të qëndrueshëm, kemi nisur prej kohësh një projekt, i cili u kthye në një projekt rajonal me interes për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ministrja bëri me dije se Enagaz është një nga aksionerët e projektit të madh TAP.
Balluku: Kjo ka qenë dhe arsyeja që kemi marrë vendimin për të nisur në vitin 2023 ndërtimin e segmentit të parë të IAP, linja e transmetimit Adriatiko-Ionaine, e cila ka mbetur e bllokuar edhe për shkak të vendimeve të vendeve të tjera. Ne e kemi marrë vendimin dhe do ta nisim nga Shqipëria. Enagas ka edhe një eksperience të shkëlqyer për sa i përket depozitave natyrale të gazit. Partneri që kemi zgjedhur është një partner që ka ekspertizë në të gjitha projektet që ne synojmë të realizojmë së afërmi. Ky lloj bashkëpunimi do të na sjellë akoma dhe më afër me Spanjën”, theksoi ministrja Balluku në fund të fjalës së saj. Kjo do të jetë një marrëveshje që do të thellojë marrëdhëniet diplomatike që Shqipëria ka pasur gjatë viteve me Spanjën./m.j