Fshehu vdekjen e gruas, Gjykata e Apelit Tiranë lë në fuqi masën arrest në burg për Shefqet Likën. Ai akuzohet për shkaktim të vetëvrasjes dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Në datën 05.09.2022, rreth orës 07:30, në Komisariatin e Policisë nr. 5 Tiranë, është paraqitur shtetasi me iniciale S.B, i cili ka kallëzuar se ka dyshime në lidhje me vdekjen e motrës së tij, ndaj bashkëshortit të saj me iniciale SH.L, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shkaktimi i vetëvrasjes” si dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim SH.L, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” si dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të parashikuara nga nenet 99 dhe 301 të Kodit Penal.
Me vendimin nr. 1862 Regj.Them, datë 08.09.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur:
– Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim SH.L.
– Caktimin si mase sigurimi personal ndaj shtetasit SH.L, ate të “arrestit ne burg”, te parashikuar nga Neni 238 I K. Pr. Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim SH.L, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Në fillim të muajit shtator, Gjykata e Tiranës la në burg pa afat Shefqet Likën, nën akuzën për nxitje/shkaktim i vetëvrasjes ndaj gruas së tij, Shahe Lika.
Po ashtu ai akuzohet edhe për fshehje të krimit, përmes deklarimit se vdekja e gruas së tij ishte natyrale.
Në sallën e gjyqit për prokurorin Elio Mazreku e gjyqtarin Gerd Hoxha, Lika mohoi përfshirjen në vetëvrasjen e gruas së tij.
Mbrojtja pretendon se Shefqet Lika, ka probleme mendore dhe në sallën e gjyqit kanë paraqitur dokumentacion për të provuar se gjendja e tij mendore nuk është normale.
Por akuza i hodhi poshtë këto pretendime pasi Lika rezulton se është përdorues i rregullt i alkolit.
/f.s