Policia e Klosit ka dhënë detaje lidhur me grabitjen e ndodhur në fshatin Dom në Klos, ku u grabitën 8.000 euro dhe 1 milion lekë rreth orës 2 të mëngjesit të kësaj të diele.
Përmes një njoftimi për mediat, burimet zyrtare bënë me dije se pas ngjarjes janë shoqëruar nga forcat e policisë 6 persona, teksa vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorëve.
Këta të fundit nuk janë identifikuar akoma, shtoi policia, duke shtuar se hetuesit po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes.
Njoftimi:
Rreth orës 03.30, datë 02.10.2022, në fshatin Dom, Klos, persona ende të paidentifikuar dyshohet nën kërcënimin e armës, janë futur në banesën e shtetases Sh.Ll, e cila ndodhej në banesë së bashku me djalin e saj dhe me forcë ju kanë marrë një shumë të konsiderueshme vlerash monetare.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 6 persona në Komisariat, dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes.
/e.d