Ndoqa me kërshëri batutat Berisha Blushi dje në Kuvend, asnjëri prej të dyve nuk më zhgënjeu. Ish kryeministri ashtu si ish presidenti Berisha dikur, nuk i rezistoi dot tundimit për të futur hundët në punët e rivalëve politikë. Berisha e ka bërë gjithnjë këtë. Dhe jo vetëm në Shqipëri. Ai arriti me sukses të përçante formacionin e parë politik të shqiptarëve të Maqedonisë në vitin e largët 1993 duke promovuar Arbën Xhaferrin deri në krijimin e një partie të re atje, e më pas edhe në Kosovë (një nga arsyet pse u ftoh me Rugovën në vitin 1996).
Po në këtë vit dy dekada më parë, duke përfshirë edhe ambasadën italiane në Tiranë, me pretendimin e një opozite të radikalizuar (paradoksalisht po prej atij vetë, pasi i burgosi kryetarin e saj tre vjet më parë), ai futi hundët në kongresin socialist, duke mbështetur hapur tre nënkryetarët. Vetëm qëndrimi parimor i sekretarit të përgjithshëm Pëllumbi dhe letra nga burgu i Bënçës, por sigurisht edhe morali i lartë i socialistëve, nuk lejuan uzurpimin e partisë kryesore të opozitës, nga ndikimi direkt i presidentit të fortë tropojan.
Edhe dje Blushi i hoqi atij vizën e kuqe, dhe këtu deputeti rebel socialist, nuk më zhgënjeu. Rrallë ka ndodhur sa kohë është në politikë, që Blushi, t’ja fusë kot kur flet. Kam qënë dakort me të edhe kur fliste në 2009, por Blushi zakonisht të zhgënjen me veprimet, jo me fjalët. Ai u tërhoq nga gara atëherë, me pretekstin se i la rrugë kandidimit të Malajt. Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, prapë se prapë tregon se Blushi ka një problem me aksionin e mirëfilltë politik, që edhe kur e nis, nuk e çon vetë deri në fund. Ai sot po i kërkon Ramës të ketë garë për kryetar por nuk shpjegon qartë se çdo të bëjë nëse garë nuk ka. Dhe po ja them që sot Blushit se më parë, do ketë garë mes Metës dhe ndonjë Luan Rame pas një muaji në LSI, sesa mes tij dhe Ramës në 19 mars. Për shumë arsye, por sot s’dua të flas për Ramën, por për Blushin, pasi megjithëse mendoj se ai nuk është engjëll, gjithsesi jam i mendimit se ai nuk është djalli i Partisë Socialiste. Dje e vërtetoi këtë, kur i preu hovin djallit të vërtetë të hapësirave demokratike Brenda dhe jashtë PD, Sali Berishës.
Për një person që ka parë me sytë e tij si është trajtuar Eduard Selami, që nga mbledhja e kryesisë e shkurtit 1995, kur ju tha fjalë për fjalë “do zhdukesh nga PD për tre javë”, që pa me sytë e tij sesi u votua në Konferencën e Jashtëzakonshme në mars 1995 nën vëzhgimin e shikasve (dhe votë me ngritje dore, jo kuti te fshehtë), që pa me sytë e tij sesi një polic zgjebs, kapi për krahësh Selamin dhe e nxori jashtë mbledhjes së Këshillit Kombëtar në prill 1995, shoqëruar me shprehjen “ik se hëngre ndonjë shkelm bythëve”, Sali Berisha paraqet shumëçka, por jo tribunin e demokracisë së brendshme në një parti. Këtu as po përmend se nuk kam parë gjë me sy, tërheqjen misterioze të Pollos nga kandidimi në Kongresin e 1999, dhe as se çfarë kam dëgjuar se çfarë i ndodhi atij një natë para. As po përmend se pse u tërhoq Meksi nga gara e 1991, kur në 14 shkurt, befas Saliu doli për herë të parë, kryetar i PD. Ndaj Blushi bëri mirë që i mbylli atij derën e bashkëpunimit fluid, ashtu siç u duk se ia ka hapur gjatë rebelimit të tij të parë në 2009.
Sepse siç tha vetë në Top Story një javë më parë, Blushi nuk është as engjëll.
I gjendur përballë anashkalimit që i bën atij Rama prej dy vjetësh dhe perspektivës së errët të moskandidimit në lista në 2017, Blushit tani i duhet të bindë shumë veta, se arsyet e kryengritjes së tij janë parimore. Blushi u tërhoq nga gara në 2009, por gjithashtu nuk ishte edhe ndonjë kundërshtar i “papam” i farsës me Maqo Lakrorin në 2011. Përkundrazi. Kur u zgjodh anëtar i Kryesisë, së bashku me Malajn, u strukën në dhomën e kritikës konstruktive ndaj Ramës. Blushi reagoi vakët, kur në 2013, Rama la jashtë Malajn nga lista dhe si duket mendoi si struci me kokën në rërë se nuk do të ndodhte që Rama ta linte jashtë kabinetit pas zgjedhjeve.
Për të gjitha këto arsye Blushit i duhet të bindë më shumë, se megjithëse nuk është engjëll, sërish ka diçka parimore në sfidën e tij të fundit. Blushi sot akuzon fort dhe shumë prej akuzave të tij janë të vërteta sipas informacioneve të mia. Edhe ato që nuk e di nëse janë të vërteta, me gjasë nuk janë as të gënjeshtërta. Por kjo nuk është mjaft. Blushi bën analiza të mira, libra të shkëlqyer, dhe thotë ato që thonë edhe socialistët, edhe ata jashtë PS. Por nëse ai kërkon të na zhgënjejë se nuk është “Beni ecën vetëm” dhe se qeveris më mirë partinë dhe Shqipërinë, përveç fjalëve i duhen edhe vepra. Beni gjeneron frymë, por ne duam të shohim nëse Blushi e perkthen dot frymën në aksion. Një kryeministër veç platformës (kthimi majtas i PS, është një tezë e mirë megjithëse disi fillestare) duhet të dalë me ekipin alternativ. Dhe të lutem mos më thoni që ekipi janë Mimoza llasticat. Shkoni pyetini sot ato, dhe do ju thonë se “folën në parim”, por jo se janë me Blushin. Thjesht flasin se nuk morën poste, apo se burrat nuk fitojnë ndonjë tender ndërtimi.
Blushi nuk është djalli, por as engjëll dhe ndaj nuk bën dot katarsis në PS. Katarsis është pastaj një fjalë e madhe për PS. PS sot sipas Blushit ka hepatitin C. Që nuk shërohet, por edhe nuk të vdes. Blushi nuk mund ta shërojë PS nga sëmundjet që ai thotë se ajo ka, sepse nëse ajo ka një sëmundje që e solli Edi Rama, Blushi është po aq fajtor sa Nano për ardhjen e Ramës, jo në PS, por në krye të saj. Por Blushi ka mundësitë që të jetë një alternativë e mirë për zgjatjen e jetës së PS në pushtet. Me një ekip, që nuk di nëse e ka, me një platformë që nuk di nëse e ka të plotë, megjithëse ka sensin e mprehtë të analizës për identifikimin e problemeve.
Dhe në fund Blushit, i bën mirë të sqarohet edhe vetë, se sot të jesh alternativë në PS, duhet të deklarosh se bashkimi i të majtës duhet të jetë bashkim idesh dhe jo interesash dhe numrash. Edhe vetë Basha sot po mundohet të krijojë një alternativë brenda PD-së, duke deklaruar gati me gjysëm zëri se nuk do bëjë kurrë koalicion me Metën. Në 2013 i pata shkruar publikisht Ramës se zgjedhjet i fitoi me aritmetikë dhe jo me frymë. Blushi duhet të na provojë se përballë frymës, numrat fiktivë nuk kanë rëndësi. Dhe kjo, jo thjesht se me të majtin tjetër që ka numrat, është zënë me grushta që i vogël, në orën e aritmetikës.
Nëse Blushi i bën gjithë këto, nëse paraqet platformë dhe skuadër, nëse lë pragmatizmin dhe përkrah rilindjen e idealeve të së majtës dhe nëse merr seriozisht të lëvizë e jo vetëm të flasë, nuk ka pikë rëndësie nëse ka apo jo garë në PS, sepse në këtë moment, ai do të përbënte një alternativë serioze ndaj Ramës apo kujtdo tjetër që ai mendon si pasues, pasi Ramës t’i vijë dita e sprasme në PS. Por deri atëherë si unë edhe shumë të tjerë, do presim të shohim nëse Blushi, të jetë as djalli dhe as engjëlli, por së paku arkengjëll Gabrieli i socialistëve shqiptarë.