Presidenti i Azerbajxhanit tha të premten se vendi i tij është një partner i besueshëm dhe do t’i përmbahet marrëveshjejes për të dyfishuar eksportet e gazit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027.
Duke folur për gazetarët në kryeqytetin e Bullgarisë, Presidenti Ilhan Aliyev e quajti interkoneksionin e ri të gazit me Greqinë “një arritje historike dhe një mundësi që gazi azerbajxhanas të arrijë në Evropë në sasi më të mëdha”.
Aliyev ishte në Sofje për nisjen zyrtare të shtunën e një tubacioni të ri që do të furnizojë gaz natyror nga Azerbajxhani në Bullgari, furnizimi jetik i të cilit me gaz rus u ndërpre në prill mes pasojave nga pushtimi rus i Ukrainës.
Në ngjarjen e së shtunës, ai do të bashkohet me krerët e shteteve dhe qeverive nga rajoni, si dhe me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Tubacioni prej 182 kilometrash është projektuar të shkojë nga qyteti verilindor grek i Komotinit në Stara Zagora në Bullgarinë qendrore. Ai pritet të nisë me një kapacitet fillestar prej 3 miliardë metra kub gaz në vit, me perspektivë zgjerimi në të ardhmen në 5 miliardë metra kub.
Presidenti bullgar Rumen Radev theksoi rëndësinë e lidhjes së re të gazit jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për kontinentin. “Kjo ndryshon në mënyrë vendimtare hartën energjetike të Evropës,” tha ai.
Dëshira për burime të tjera të gazit u rrit ndjeshëm pasi Moska vendosi t’i kthejë furnizimet e saj të gazit natyror në një armë politike.
Në fund të prillit, Rusia ndërpreu furnizimin me gaz për Bullgarinë pasi ajo refuzoi kërkesën e Moskës për të paguar për dërgesat në rubla, monedhën ruse. Marrëdhëniet midis dy ish-aleatëve të bllokut sovjetik janë tensionuar muajt e fundit dhe muajin e kaluar Bullgaria urdhëroi dëbimin e 70 diplomatëve rusë, duke shkaktuar një përgjigje të zemëruar nga Moska.
/s.f