Që nga fundjava çmimi i bukës është rritur në Fushë Kosovë.
Një bukë 500 gram tash kushton 10 centë më shtrenjtë.
Furrtarët në Fushë Kosovë vendosën unanimisht të rrisin çmimin e bukës nga 50 në 60 centë. Sipas tyre, deri te vendimi erdhi për shkak të rritjes së çmimit të lëndës së parë, pra mielli dhe produkteve të tjera. Arsyetim për ta është edhe rritja e çmimit të lëndëve që i përdorin për pjekje, si druri, gazi dhe po ashtu për shkak të jostabilitetit me energji elektrike që pritet gjatë dimrit.
Megjithatë, indeksi i çmimeve ditore të Agjencisë së Statistikave nuk tregon rritje të çmimit të miellit dhe nga Shoqata e Mullisëve thonë se aktualisht nuk ka rritje të çmimit.
E kjo për banorët e Fushë Kosovës është një rritje jashtë normave.
Për këtë lëvizje të çmimit Inspektorati i Tregut nuk ka njoftuar nëse ka nisur kontrolla.
Ndërkohë çmimi për bukën ka shkuar në 60 cent edhe në Prizren.
/a.r