Në orët e para të ditës së sotme, midis provincave të Trento, Brescia, Vicenza, Mantua, Prato dhe Bari, si dhe në Belgjikë e Holandë, Karabinierët e Komandës Provinciale të Trentos, me bashkëpunimin e departamenteve kompetente territoriale dhe forcave të huaja policore kanë ekzekutuar një urdhër arresti ndaj 38 personave mes të cilëve 15 marokenë, 8 shqiptarë, 3 tunizianë, 1 algjerian, 1 kosovar dhe 10 italianë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ata akuzohen për trafik ndërkombëtar të drogës. Hetimi i nisur në maj 2020 nga Karabinierët e Njësisë Hetimore të Trentos, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, bëri të mundur identifikimin dhe çmontimin e dy organizatave të kriminale të dedikuara për tregtimin dhe trafikun e drogës.
Grupi i parë, përbëhej kryesisht nga shtetas shqiptarë të vendosur në Trentino, që furnizonte shumë pushues në zonë me heroinë, por edhe kokainë, hashash dhe marijuanë.
Konkretisht, heroina vinte nga Milano, më pas u shpërndahej në sasi të mëdha tregtarëve tunizianë të drogës që operonin me pakicë në Trento.
Kokaina blihej në Campania dhe transportohej në Trento çdo javë.
Grupi i dytë, përbëhej kryesisht nga afrikano-veriorë, organizatë e cila importonte kokainë nga Belgjika dhe Holanda për të furnizuar sheshet e Alto Garda dhe Basso Sarca.
Veprimtaria hetimore, e cila u shtri edhe në provincat Brescia dhe Vicenza, gjatë zhvillimit të saj bëri të mundur arrestimin në flagrancë të 11 personave dhe sekuestrimin e 23 kilogramë kokainë, një kilogram heroinë dhe një kilogram e gjysmë marijuanë.
Ndërkohë, gjatë një kontrolli në një shtëpi u gjetën dhe u sekuestruan 1 kg kokainë, 160 gr hashash, 32.000 euro cash dhe një orë luksoze.
/f.s