Në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos në MCN Tv, ai tha se Ismail Kadareja mund të mos i qëndrojë mendimeve që ka për Fishtën, por citoi shprehjen “matu mirë, zgjate qafën mirë që kur të dalë ajo fjalë, të mos kapërdihesh”.
Kam një indicie se ai ka thënë se unë nuk e kam njohur Fishtën si autor, gjë që është e pabesueshme, dhe nëse është e besueshme, vërejtja bie mbi formimin e tij dhe më e bukura është se tha se kam sulmuar, se unë e shihja që po harrohej dhe desha ta ktheja në vëmendje, duke e sharë dhe duke e asgjësuar me mjetet më të rënda.
Për ta nxjerrë nga hija, e vetmja mënyrë ishte duke e sharë. Fishta ka vdekur, e kanë ngritur, e kanë vrarë nja 7-8 herë. Kjo tregon edhe pavdekshmërinë e tij. Se kur e vret dikë për së dyti, ti mendon se e ke lënë gjallë.
Fishta u ndalua që në 1945, me ardhjen e pushtetit komunist, hyri në listën e zezë të librave të ndaluar, për shkak të autorit dhe veprës.
Regjimi komunist në foshnjërinë e tij, ishte komplet i ndikuar dhe nën diktatin e Jugosllavëve dhe Fishta është ai që shkroi epopenë e madhe të popullit shqiptar, për të mbrojtur integritetin e tokave shqiptare të cilat po ia merrnin shtetet e reja të Ballkanit.
Ky i kishte kënduar me patos trimërisë së shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve, në mënyrë që shqiptarët të mos dilnin se po fitonin me një armik të lig.
Shllaku shtoi se ka pasur tentativa për të rehabilituar Gjergj Fishtën mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik, ku tha se donin të nxirrnin një kapital politik, duke e përdorur për të thelluar kapitalin me sllavët.