Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi të premten se qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht në të gjitha akset rrugore. Vendi është përfshirë nga temperatura të ulëta dhe reshje dëbore e shiu 24 orët e fundit, çka sipas ARRSH-së, ka bërë që në segmente rrugore në veri, verilindje dhe juglindje, të ketë prani të ngricave dhe rënie gurësh. ARRSH-ja informoi se po punohet për normalizimin e situatës nga firmat kontraktore, ndërsa në vendet ku ka patur reshje dëbore ëshhtë bërë kriposja e rrugës.
Sipas të dhënave, në qarkun e Korçës, gjatë natës ka pasur reshje dëbore dhe temperatura të ulëta te cilat kanë shkaktuar ngrica e për pasojë janë kriposur të gjitha akset rrugore. Në aksin Korce-Boboshticës- Dardhë kalimi I mjeteve bëhet me zinxhirë, temperaturat janë të ulëta. Në akset e këtij qarku janë në gadishmeri 13 borëpastruese, 3 grejdera, 8 fadroma, 14 kamionë dhe punetorë në segmentet më problematike.
Në qakrun e Kukësit, në aksin Milot-Skuraj-Rrëshen-Tunel-Morinë, nga shkrirja e debores ka rënie të gurëve e dherave, nga Rrësheni deri tek Tuneli Thirrë në sasira të medha.
Në akset e këtij qarku janë në dispozicion 23 mjete të ndryshme si dhe fuqi punëtore e specialistë. Të gjitha mjetet dhe fuqia punëtore që ndodhet në akset e këtij qarku, është në gadishmëri.
Në qarkun e Dibrës, nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në të gjitha akset e këtij qarku. Të gjithë akset qarkullohen normalisht. Në akset e këtij qarku janë në gadishmëri 14 mjete, në zonat ku ka rrezik për rënien e materialeve në rrugë. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në zonat ku ka rrezik të rënies së materialeve në rrugë, si dhe të lageshtisë në rrugë.