Ambasadori amerikan Donald Lu ka zhvilluar një takim disa minutësh në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit me përfaqësues të partive politike që ishin pjesë e Komisionit të Posaçëm për Dekriminalizimin.
Ky takim kishte karakter konsultativ dhe në fokus të diskutimeve ishin miratimi i akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
Pas takimit, kryetari i Komisionit të Posaçëm, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se ekspertët amerikan bënë një prezantim të praktikave më të mira.
“Prezantimi i sotëm është një ndihmë e çmuar në punën që po bëhet për përgatitjen e akteve nënligjore për zbatimin e plote dhe rigoroz të ligjit të Dekriminalizimit dhe është tregues i qartë i vëmendjes dhe interesit që SHBA tregojnë për një zbatim të suksesshëm të këtij ligji të rëndësishëm dhe pastrimit të politikës dhe institucioneve nga individët me rekorde kriminale që janë zgjedhur apo emëruar në funksione publike. Partia Demokratike falënderon Ambasadorin Lu dhe ambasadën e SHBA për asistencën dhe mbështetjen në këtë proces të rëndësishëm dhe konfirmon angazhimin për ta çuar deri në fund procesin e dekriminalizimit qe ajo nisi më shumë se dy vjet më parë”, deklaroi PD.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili ka qenë pjesë e një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama si dhe deputetin socialist, Taulant Balla tha se ishte një seancë asistence që u ofrua nga Ambasada.
“Ishte seancë asistence për aktet nënligjore të dekriminalizimit. Një strukturë e kuvendit bashkë me komisionin përgatisin aktet. Brenda dy muajsh përfundojmë. Qeveria nuk ka të bëjë”, tha Bylykbashi.