Drejtori i Policisë, Haki Çako, duke folur për ngjarjen e Elbasanit, tha se forca e drejtuar prej tij është duke u angazhuar me të gjitha kapacitet e saj për të zbardhur krimin dhe për të vendosur autorët përpara drejtësisë.
Në një lidhje telefonike me News 24, Kryepolici Çako sqaroi se policia ka përgjegjësit e saj dhe po analizohet e gjithë dinamika e ngjarjes së mbrëmshme.
“Ngjarja është shumë e rëndë. Policia po punon me të gjithë kapacitetin e saj. Efektivët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, janë ngritur grupet e patrullimit në kohë rekord për kapjen e autorëve dhe përgjatë gjithë natës kanë vijuar kontrollet”, tha Çako.
Ai nënvizoi se krimi i trefishtë i mbrëmjes së djeshme është rezultat i një konflikti historik. “Shkak për këtë ngjarje është bërë një konflikt i hershëm. Sot, ndodhemi në një pamundësi reale për të deklaruar emrat e disa autorëve të një sërë ngjarjeve të mëparshme.
Ne marrim përgjegjësit tona. Por më lejoni t’ju them se policia është duke bërë një analizë të plotë të ngjarjes dhe dinamikës së saj. Çdo hap i yni në hetime është në mirëkuptim të plotë me prokurorinë, në këtë rast të Elbasanit”, tha Çako, duke përfunduar lidhjen e tij telefonike.
Më herë, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Policia e Shtetit kërkoi bashkëpunimin e komunitetit për të bërë të mundur zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale.
Policia e Shtetit vë në dispozicion 3.000.000 (tre milione ) lekë për çdo informacion të vlefshëm që çon në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Sigurojmë anonimatin për çdo shtetas që do japë info të saktë në numrat e celularit: 0694100353 dhe ne numrin pa pagesë 129, thekson Policia.
Sipas policisë, deri tani janë shoqëruar për verifikim 46 shtetas. Ndërkohë, grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes 2 armë zjarri automatik, që dyshohet se i kanë lënë në vendngjarje autorët e krimit, dy krehër pa fishekë dhe një krehër me 26 fishekë si dhe 65 gëzhoja. Nga ngjarja kanë humbur jetën: Agron Capja, Ardit Sinakoli, Eno Bedalli dhe janë plagosur tetë të tjerë, sipas policisë.
ATSH