Trembëdhjetë vite pas finalizimit të një prej aferave që ka shënjuar pushtetin e dytë të Sali Berishës, atë të tjetërsimit të pronës publike të ish-Kompleksit Sportiv Partizani, për llogari të familjarëve të Berishës, SPAK ka nisur të marrë në pyetje disa nga protagonistët privatizimit me një mijë pika të errëta. Ditën e djeshme para hetuesve janë paraqitur ish ministrat e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa për roli e tyre në procesin e privatizimit korruptiv, ndërsa në vijim pritet të paraqitet edhe orkestruesi i madh Sali Berisha, bashkë me përfituesin, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish zyrtarë të tjerë.
Dosja e privatizimit të ish-Kompleksit Partizani me numë 287/2020, është regjistruar nga SPAK për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal. Për pastrimin e produkteve të veprës penale parashikohet 5-10 vite burg, ndërsa kur vepra kryhet në bashkëpunim, siç është edhe rasti i tjetërsimit të ish-Kompleksit Sportiv Partizani, parashikohet një dënim jo më pak se 15 vjet me burgim .
Ndërkaq, në kallëzimin penal që deputeti Taulant Balla referoi në SPAK në vitin 2020, pretendohet se janë konsumuar veprat penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim,
të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim, të falsifikimit të dokumenteve, pastrimit të të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale si dhe vepra penale e korrupsionit aktiv dhe pasiv.
Një pjesë të këtyre veprave penale janë parashkruar për shkak të kohës së gjatë të kryerjes së dyshuar të tyre, pasi operacioni abuziv për tjetërsimin e ish-Klubit Sportiv Partizani është finalizuar në tetor të vitin 2009. Sali Berisha nxitoi pasi frikë se mund të humbiste zgjedhjet dhe procesi për kalimin e pronës në duart e familjes së tij mund të bllokohej.
Po kush janë personat e implikuar dhe përfituesit e kësaj afere?
Nuk ka dyshime se orkestruesi është Sali Berisha, në cilësinë e kryeministrit, i cili edhe pse nuk ka firmosur më dorën e tij, ka vendosur në rresht ministra dhe drejtorë për të kaluar pronën publike në duart e dhëndrit Jamarbër Malltezi dhe rrjedhimit e të bijës Argita.
Përfituesi kryesor është Jamarbër Malltezi, i cili nga trashëgimtar i pretenduar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë, ku në këmbim të kthimit të pronës falë pushtetit të vjehrrit, do t’u merrte në këmbim sipërfaqen në fjalë. Mbi këtë pronë, Malltezi ngriti 19 kulla, me para që nuk u dihet burimi, në të cilat është pronar me 40 %.
Nga investigimi i Report Tv rezulton se kanë marrë pjesë dhe janë implikuar; te ish ministra të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gazmend Oketa dhe Arben Imami, ish ministri i Financave, Ridvan Bode, ish ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ish presidenti Bamir Topi, ish-sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Gjergji Lezha, ish-drejtori i Anti-korrupsionit në Kryeministri Oerd Bylykbashi, ish-inspektori i Anti-korrupsionit Ilir Kadiu, i cili ishte edhe në konflikt interesi dhe gjenerali i Brigadës Xhemal Gjunkshi.
Pikat kyçe të aferës
-Pikat kyçe të aferës janë dyshimet e forta se trashëgimtarët e pretenduar, të përfaqësuar nga dhëndri i Sali Berishës në këmbim të përfitimit të 35 % të sipërfaqes që do të kthehej, janë shpronësuar dhe kompensuar nga Italia fashiste në vitet 1993-1942 në funksion të planit për zgjatimin e aeroportit.
-Nga vitit 1996 kur u njohën si ish pronarë më të drejtë parablerje të prinës në rast shitje ose kompensimi, trashëgimtarët nuk bënë asnjë përpjekje për t’u kompensuan, por pritën që të vinte në pushtet Sali Berisha në vitin 2005, për të marrë pronën, duke përfshirë edhe prona të tjera publike dhe private, që nuk u takonin, me sipërfaqe rreth 4.5 mijë m2.
-Nga viti 2005 deri në vitin 2009, Sali Berisha angazhoi të gjithë strukturat e nevojshme shtetërore për të privatizuar dhe kaluar në duart e familjarëve të tij pronën shtetërore ish Klubi Partizani.
-I vetmi zyrtar që doli kundër makinerisë së Sali Berishës ishte Gjenerali Vladimir Qirjazi, i cili u kërcënua, shantazhua, transferua dhe më pas u ndëshkua me shkarkim. Sali Berisha përdori ministrin e Mbrojtjes dhe zyrën anti korrupsion në Kryeministri, për t’u bërë presion me kontrolle korruptive dhe shkarkim Gjeneralit Vladimir Qirjazi.
-Trashëgimtarët e pretenduar morën 26 mijë m2 tokë, nga 24 mijë që mund t’u takonin, duke përvetësuar kështu edhe 4 mijë m2 pronë publike.
-Në sipërfaqen e kthyer në mënyrë abuzive dhe klienteliste, u asimilua edhe rreth 500 m2 tokë e shtetasit Esat Pira, ku përfshihej edhe pishina tek ish-Klubi Partizani.
-Pati vlerësime dhe zhvlerësime abuzive të godinës së Klubit Partizani, me qëllimin e qartë për të favorizuar dhëndrin e Sali Berishës, që të paguante sa më pak para, në kurriz të interesit publik.
-Nuk dihet burimi i parave të Jamarbër Malltezi për ngritjen e 19 kullave tek prona e tjetërsuar, ku është pronar me 35-50 %. Në vitin 2006, Jamarbri dhe Argita kanë deklaruar vetëm rreth 40 mijë euro kurime që u kishin mbetur, pasi paratë e tjera i kishin investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme./ Shqiptarja.com