Motra e turistes britanike, e cila u mbyt në brigjet e Sarandës disa ditë më parë, ka folur për Daily Mail pas ngjarjes së rëndë. “Është lajm shkatërrues. Na është thyer zemra”. Është shprehur mes lotësh Sam, motra e Rebecca Gannon. 29-vjeçarja, të cilën të afërmit e thërrisnin Beccie, ishte nga Stone në Staffordshire. Ajo ndodhej në Shqipëri së bashku me të dashurin e saj.
“Është motra ime e vogël. Nuk mund ta besoj dot”, tregon më tej motra e viktimës. Ajo është shprehur se ka qenë me mamanë në kuzhinë kur kanë marrë vesh lajmin.
Rebecca ndërroi jetë pasi hasi vështirësi në një ekspeditë zhytjeje në Sarandë. Në momentin e ngjarjes ajo shoqërohej nga disa zhytës të tjerë dhe nga i dashuri, i quajtur Robert. Në lidhje me incidentin, policia ka arrestuar Saimir Kushovën me akuzën se kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.
“Duhet të kemi qenë gjithsej 12 persona dhe gjithsej 3 instruktorë një prej të cilëve fliste shumë mirë anglisht dhe quhej Gerta Brozi. Ajo kontrolloi pajisjet por nuk u kushtoi shumë vëmendje. E di që kishte një problem me rregullatorin e oksigjenit të Rebecca-s, por Gerta tha se e kishte zgjidhur”, u shpreh i dashuri i viktimës.
Më tej ai shtoi: U futëm në ujë, por nuk e di nëse problemi ishte zgjidhur. Kishim shkuar shumë thellë kur një nga grupi kishte probleme me presionin dhe doli në sipërfaqe. Nuk mund ta shikoja dot Rebecca-n kur ishte në ujë për shkak të shikueshmërisë së dobët. Mund të kem qëndruar në ujë për rreth 25 minuta dhe kur dola në sipërfaqe pashë një anije policie afër nesh dhe kuptova që diçka e keqe kishte ndodhur.
Të tjerë dëshmitarë kanë thënë se Kushova është zhytur në ujë në përpjekje për të shpëtuar 29-vjeçaren. Madje ata i kanë dhënë ndihmën e parë ndërkohë që Robert ka dëshmuar i shokuar të gjithë ngjarjen.
Ndërkohë të martën, Greta Brozi ka folur për Daily Mail dhe ka treguar se askush nuk e di se çfarë ndodhi dhe pritet policia që të përfundojë hetimin. Sipas saj, 29-vjeçarja kishte certifikatë për t’u zhytur dhe ishte e kualifikuar.
/a.r