Pak ditë pas vrasjes së të riut Erjon Xhenje në Shkodër, vijojnë të mbeten mister autorët e atentatit ndaj 19-vjeçarit.
Përmes kamerave të sigurisë, policia ka mundur të ndërtojë skemën e lëvizjes së autorëve të atentatit, të cilët me anë të një motorçiklete, të maskuar, u afruan pranë Erjon Xhenjes dhe e qëlluan me 5 plumba në gjoks, për t’u largua më pas në lagjen “Guerrile”, ku dogjën motorin dhe armën tip pistoletë.
Ekspertët e kriminalistikës kanë marrë kampione nga motori i djegur me shpresën se mund të zbulojnë diçka rreth autorëve.
Hetimet janë intensive, ndërsa dyshimet e orëve të fundit lidhen tërthorazi me përfshirjen e Erion Xhenjes në vrasjen e Ismet Çekorës, që banonte vetëm pak metra larg shtëpisë së 19-vjeçarit.
Edhe pse në deklarimet në polici, babai i viktimës ka thënë se i biri nuk ka pasur konflikte, fakt është se familja Xhenje ka lënë banesën në lagjen ‘Kiras’ për t’u zhvendosur diku tjetër.
Një tjetër pistë për policinë është edhe përplasja mes bandave në Shkodër vitet e fundit, pasi mësohet se 19-vjeçari punonte në fermën e Aster Bilalit.
Por, ashtu si pas çdo ngjarjeje kriminale, rutinën në policinë e Shkodrës e theu vizita me urgjencë e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, i cili ka kërkuar me ngulm zbardhjen e ngjarjes.
Nga janari i këtij viti e deri më tani, 6 persona janë ekzekutuar dhe asnjë nga këto ngjarje nuk ka autor. Qarku i Shkodrës mbetet kampion për krimet e pazbardhura, duke krijuar frikë dhe terror në një territor ku duket se bandat kontrollojnë mbi shtetin.
/a.r