Ngjarja e së mbrëmjes së të mërkurës në qytetin e Elbasanit, është pasojë e mungesës së drejtësisë, që në një dekadë ka dënuar vetëm dy persona për 8 vrasje dhe 2 tentativa vrasjeje.
Këtë la të kuptohej në seancën plenare të kësaj të enjteje ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Dje në Elbasan ndodhi një ngjarje shumë e rëndë që shqetësoi qytetarët. Nuk mirëpres që të dilni dhe të thoni që ajo vrasje ndodhi se ministri është bandit dhe kryeministri është kryebandit. Në një dekadë janë vrarë 8 persona, ka edhe dy tentativa për vrasje dhe vetëm dy të dënuar për gjithë këtë. Një nga vrasjet është bërë ndaj një personi që ruhej nga dy punonjës policie në derën e shtëpisë. Vrasësit shkuan në shtëpi, e vranë bashkë me babain dhe vrasësi i dyshuar kërkoi të dilte në kufi dhe në kufi doli pavarësisht se policit i doli në ekran alerti si person në kërkim. Polici është arrestuar dhe pastaj u lirua pavarësisht se la një vrasës të dyshuar të dilte nga kufiri. Unë sot e marr vesh që polici është ende në detyrë dhe u dënua në atë kohë me ulje në gradë. So janë qytetarët që ndjehen më të pambrojtur në këtë vend për shkak të drejtësisë që mungon”, deklaroi Tahiri.
Ministri kërkoi nga klasa politike që të bëhet bashkë kundër krimit dhe jo të bëhet palë me krimin. “Në të gjitha ngjarjet autori është një kriminel që duhet dënuar pa dallim partiak”, tha ai.
“E rëndësishme është që qytetarët e kuptojnë sot se kush është i angazhuar në luftën kundër krimit dhe kush bën politikë me krimin. E njëjta gjë edhe me Byronë e Hetimit. Ju që ishit të parët që e kundërshtuat, sot e mbështesni dhe ne na vjen mirë për këtë. Ne mund të bëjmë çdo gjë ndryshe, por ne duhet të bëjmë një gjë bashkë dhe kjo është reforma në drejtësi”, mbylli fjalën e tij Tahiri.