Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka bërë një deklaratë pesimiste gjatë një interviste për televizionin publik serb ndërsa ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në punimet e OKB-së.
Ai është pyetur për fjalimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, duke dhënë një parashikim disi të zymtë për të ardhmen.
“Unë supozoj se nga faza e një operacioni special ushtarak po i afrohemi një konflikti të madh lufte dhe tani pyetja është se ku janë kufijtë dhe nëse do të shkojmë pas disa kohësh, ndoshta për një ose dy muaj, drejt një konflikti të madh botëror, të cilin nuk e kemi pasur që nga Lufta e Dytë Botërore”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiç paralajmëroi se do të marrë vendime të vështira në dhjetë ditët e ardhshme që do kenë të bëjnë me të ardhmen e Serbisë.
Sa i përket Kosovës, Vuçiç paralajmëroi se një tjetër vend është bërë gati për të tërhequr njohjen e pavarësisë.
Gjithashtu, sqaroi se në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Joseph Borrell, pati një qëndrim të përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
/f.s