Dy shtetasit rusë dhe ukrainasi që sulmuan uzinën e Armëve në Gramsh kanë dalë këtë të martë para gjykatës.
Bëhet me dije se ukrainasi Fedir Alpatos ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë në Rusi, dhe se ka jetuar në Kinë.
Ai është përlotur para trupit gjykues dhe pretendon se nuk ka qenë kurrë në Rusi dhe se këtë shtet e konsideron si armik për shkak të luftës në Ukrainë.
Po ashtu ai rrëfen se nga bombardimet ruse në Ukrainë vëllai i tij ka mbetur sakat.
Avokati i tij, Saimir Vishaj ka kërkuar lehtësim të masës së sigurisë me argumentin se ukrainasi duhet të vijojë doktoraturën.
“Jam në gjendje të rënduar emocionale, nuk kam qenë asnjëherë në Rusi, kam jetuar në Kinë”, mësohet të ketë thënë ai para togave të zeza.
Ndërkohë, më herët avokati i shtetasit ukrainas, Vishaj, kërkoi një përkthyes në gjuhën ukrainase për klientin e tij pasi ai nuk kupton atë rusë. Mirëpo, kjo kërkesë e Vishajt është hedhur poshtë nga Gjykata.
Vishaj deklaroi se është arbitrare t’i mohohet gjuha amtare dhe t’i flitet në rusisht kur i vëllai është gjymtuar nga sulmet ruse në Ukrainë.
“Mendoj që duhet të respektohet gjuha amtare që sot po dhunohet me gjuhën ruse duke mos pasur logjikë, pasi sot personi në fjalë ka një vëlla që ka një krah të prerë prej luftës ruse dhe ne i kërkojmë të flasë dhe kuptojë gjuhën ruse.
Sa i përket arrestit dhe regjistrimit të çështjes, klienti im është arrestuar për dy vepra, cenimi dhe sigurimi i te dhënave. Ne nuk kemi asnjë prove ne dosje që është futur në repartin ushtarak dhe nuk kanë lidhje fare. Cila është prova, cili është agjenti?
Një student, një bloger? Dy ushtaraket flasin vetëm për një person, përse marrim tre veta, këta student nga Ukraina vendi i të cilit është ne lufte, të vuajë dënim me burg. Është student në doktoraturë, vijnë nga Durrësi dhe ikën në Gramsh, për turizëm dhe papritur e gjejnë veten në burg.
Ky është viktimë, po e lini dhe pa shkollë, në Poloni Varshave, sa ka mbaruar masterin dhe është ne doktoraturë. Familja e tij ka dalë në luftë në Ukrainë. Fakti që ka shkuar në Gramsh nuk përbën vepër penale. Duhet të gjeni provat pastaj të shkoni tek kufizimi i lirisë.
Flagranca është ndryshe nga çfarë është shkruar në dokument. Ai as ka qenë në repartin ushtarak. Ai nuk është reparti ushtarak i mirëfilltë pasi është i deklasifikuar. Të paktën mos t’i ndërpresim doktoraturën online se mirë lufta që i ka zënë, por të paktën mos të humbasë këtë investim që ka bërë. Në këto kushte kërkoj ta ndryshoni vendimin”, tha avokati./m.j