Dy persona dyshohet se kanë qenë autorët e breshërive në drejtim të lokalit, ku ndodheshin disa pjesëtarë të familjes Çapja dhe të afërm të tyre. Njëra nga viktimat e mbrëmshme, Agron Çapja, dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. Të maskuar si forca ushtarake, ekzekutuesit kaluan lehtësisht perimetrin e sigurisë të familjes Çapja.
Ishte ora 19:54 minuta, kur pranë lokalit në kryqëzimin e Krastës, përbri autostradës Elbasan – Librazhd, u afrua makina e llojit “Benz” ngjyrë gri.
Siç po shihni në grafik, të ndërtuar mbi bazë të informacioneve paraprake, nga makina dolën dy persona të armatosur me Kallashnikovë.
Ata i afrohen lokalit, brenda të cilit ndodheshin pjesëtarë të familjes Çapja dhe shokët e tyre.
Dy nga autorët me shpejtësi të befasishme hapën zjarr me breshëri nga dera dhe dritaret.
Më pas ata dyshohet se u larguan në drejtim të Librazhdit, por ende policia nuk e di vendndodhjen e tyre. Në vendin e ngjarjes u gjetën 65 gëzhoja, dy kallashnikovë dhe një krëhër me 26 fishekë.
Si pasojë e të shtënave vdiqën menjëherë Agron Çapja, Ardit Sinakolli dhe Eno Bedalli dhe u plagosen 8 persona, duke mos përjashtuar edhe ndonjë lëndim të lehtë të klientëve të tjerë.
600 metra larg lokalit, policia gjeti edhe një automatik tjetër që mendohet se ishte i personit që ndodhej në sediljen e parë me shoferin.
Masakra dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje mes familjes Çapja dhe Mema. Por nuk është kjo pista e vetme e prokurorisë dhe policisë.
Ata nuk përjashtojnë pistat e tjera hetimore, si ajo e trafikut të drogës për shkak se një nga viktimat e kësaj vrasje, Eno Bedalli ka qenë i arrestuar në 2013-ën si pjesë e trafikut të kokainës nga Holanda në Itali.
Për këtë ngjarje policia ka shoqëruar rreth 50 persona, të cilët kanë dhënë versionin e tyre për ngjarjen dhe për vendndodhjen në momentin e atentatit.
Forcat e shumta të policisë, kanë bliduar Elbasanin, duke ushtruar kontroll në banesa të ndryshme apo edhe në pikat e kontrollit të ngritura në rrugët kryesore.