Trysnia ndaj presidentit rus Vladimir Putin është rritur si në fushën e betejës ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Në terren trupat ukrainase vazhduan edhe të shtunën të nxisin kundërsulmin e tyre, me synimin për të avancuar më tej në verilindje të Ukrainës, një rajon që tashmë kontrollohet pjesërisht nga trupat vendase.
Në një takim të nivelit të lartë mbajtur në Uzbekistan, në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, një aleancë sigurie prej tetë vendesh, zoti Putin u zotua të vazhdojë më tej me sulmin ndaj Ukrainës, pavarësisht probleme me të cilat është përballur së fundmi në frontin e betejës. Por presidenti rus po përballet edhe me shqetësime të shprehura nga India e Kina lidhur me konfliktin e zgjatur.
“Unë di që epoka e sotme nuk është e luftës“, i tha kryeministri indian Narendra Modi udhëheqësit rus gjatë një takimi të premten në Uzbekistan. “E kemi diskutuar këtë me ju në telefon disa herë, se demokracia dhe dialogu prekin të gjithë botë“, shtoi ai.
Po në Uzbekistan, një ditë më parë, zoti Putin pranoi se Kina kishte pyetje dhe shqetësime në lidhje me luftën në Ukrainë, por ai nuk foli se për çfarë bëhej fjalë kontretisht. Megjithatë zoti Putin falënderoi presidentin kinez Xi Jinping për atë që e quajti, “pozicion i balancuar” i qeverisë së tij mbi konfliktin.
Tërheqja e nxituar e trupave ruse këtë muaj nga disa pjesë të rajonit verilindor që ata pushtuan në fillim të luftës si dhe shprehja publikisht e rezervave nga aleatët kryesorë të tij, diçka që ka ndodhur rrallë, nënvizojnë sfidat me të cilat përballet zoti Putin në të gjitha frontet. Si Kina ashtu edhe India kanë mbajtur lidhje të forta me Rusinë si dhe një pozicion neutral në raport me luftën në Ukrainë.
Në një deklaratë zoti Xi shprehu mbështetjen për “interesat thelbësore” të Rusisë, por gjithashtu tha se po kërkonte të punonte së bashku (me Moskën) për të “injektuar stabilitet” në çështjet botërore. Zoti Modi tha se gjithashtu dëshironte të diskutonte “se si mund të ecet përpara drejt rrugës së paqes”, duke shtuar se shqetësimet më të mëdha me të cilat përballet bota, janë problemet e lidhura me sigurisë ushqimore, karburantet e plehrat kimikë.
“Ne duhet të gjejmë një rrugëdalje dhe për këtë duhet të kontribuoni edhe ju gjithashtu“, theksoi zoti Modi, çka u pa si një qortim i rrallë publik ndaj presidentit rus.
Komentet e kryeministrit të Indisë hodhën hije mbi pritshmëritë e zotit Putin, i cili e kishte parë takimin e nivelit të lartë, si një mundësi për të forcuar statusin e tij, e si një dëshmi, se ai nuk ishte dhe aq i izoluar ndërkombëtarisht.
/e.d