Tjetër tragjedi në familjen Çelaj në fshatin ‘Ngracan’ të Mallakastrës. 63-vjeçari Batjar Çelaj i ka dhënë fund jetës duke konsumuar fotoksinë. Ngjarja u raportua nga policia ditën e sotme, nga ku edhe janë mësuar edhe detaje të tjera.
Batjar Çelaj, është babai i Indrit Çelajt, tekniku i kondicionierëve që u vra nga vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi në 22 gusht të vitit 2019 në Tiranë pas një konflikti për rrjedhjen e ujit nga tubi i kondicionierit. 26-vjeçari kishte shkuar te biznesi i Bujar Kusit, babait të dy vëllezërve për të punuar, por pas një sherri, Griseldo e qëlloi me armë zjarri në kokë, duke i marrë edhe jetën.
Pas vrasjes, i ati i të riut që u vra doli në një deklaratë për mediat, nga ku edhe kërkoi drejtësi për të birin që iu vra duke punuar.
“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë asnjërit. Kjo është fatkeqësi e madhe në Shqipëri. Ti nisesh në punë dhe kthehesh i vdekur është fatkeqësi. E kam marrë vesh nga gazetat . Cuni është vrarë ne 11 paradite unë e mora vesh në orën 7 në darkë se i kishin marrë edhe dokumentat. Cunin e kishte marrë policia. Djali ishte në punë , punonte me kondicionerë se ka mbaruar edhe elektriken. Montonte kondicionerët. Asnjë konflikt nuk ka pasur djali , ka qenë i kulturuar dhe i sjellshëm. Rrallë gjen djalë si ai , nuk dinte të ofendonte ishte i matur. Ma morën djalin në moshë të re. Në fillim të shtatorit do bënim bufenë. Kur vajta në spital vetëm kam mbajtur veten . Sikur të kisha fuqi nuk dija se ca mund të bëja. Ku do kërkoj drejtësi, kush ma zgjidh mua…,” – shprehej ai trevite më parë.
/a.r