Kandidatura e Florian Bjankut për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, nuk mori sot shumicën e cilësuar të votave në Kuvend.
Vetëm 29 deputetë votuan pro, 69 abstenuan dhe 4 votuan kundër, ndaj kjo kandidaturë nuk u miratua nga Kuvendi.
Në përfundim të votimit, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla komunikoi se çështja rikthehet në nënkomision për të miratuar një kandidaturë të re.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi me 101 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të Instrumentit për asistencën e Paraanëtarësimit (IPA III)”.
Po ashtu me 101 vota pro, u miratua edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit”.
Kuvendi miratoi me 99 vota projektligjin “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, të përfaqësuar nga ministria e Punëve të Brendshme, për shkëmbimin e informacionit për qëllime të lidhura me migracionin”./m.j