Nga Adrian Civici
Në gjithë historinë njerëzore nuk ka ndodhur asnjëherë që njerëzimi të përballet me sfida kaq të mëdha, të cilat me një shpejtësi kozmike po e ndryshojnë “botën e vjetër” drejt një bote të re plot shkëlqim e rreziqe njëkohësisht. Revolucioni 4.0 dhe inteligjenca artificiale po konsiderohet si “epoka e gurit e trurit elektronik”. Zhvillimet e inteligjencës artificiale të shoqëruara me robotikën dhe gjenetikën po e transformojnë thellësisht njeriun dhe shoqërinë.
Teknologjitë e reja të komunikimit po e zgjerojnë pafundësisht rrugën drejt dijes, po e modifikojnë thelbësisht procesin e komunikimit të dijes dhe profesioneve, po e demokratizojnë dijen, kërkimin shkencor dhe formimin profesional. Ne jemi duke përjetuar një revolucion social e kulturor që po “vë në pikëpyetje e diskutim” modelet institucionale e tradicionale të shkollës dhe universiteteve. Shoqëria e të ardhmes po ndërton universitetet e të ardhmes.
Për ti paraprirë këtyre tendencave moderne sfiduese të shek.XXI-të, në shumë vende, ku natyrisht dominojnë ato më të zhvilluara, ka filluar ngritja dhe konsolidimi i “Universiteteve të ardhmes”, synimi i të cilave, vecanërisht për të rrinjtë, është “ti japin publikut, vecanërisht gjeneratave të reja, një vizion panoramik të botës së ardhme numerike, të bëhen aulat dhe laboratorët e gjetjeve dhe debateve të këtyre zhvillimeve, të ndihmojnë në një perceptim më të qartë e më real të së ardhmes, të krijojnë aftësitë e domosdoshme kreative e adoptuese, pedagogjike e profesionale, të evidentojnë oportunitetet e zhvillimit të ardhshëm, krijimin e vlerave të reja shkencore dhe punësimit.
Në një botë në ndryshime e zhvillime marramendëse dixhitale, robotike, inteligjence artificiale, nanoteknologjive, bioteknologjive, shkencave konjitive, infoteknologjive, në plan të parë po del problemi i formimit të “kapaciteteve, aftësive, dhe dijeve tona” në përgjigje të këtyre zhvillimeve “me shpejtësi kozmike”.
Në shumë vende të botës, vecanërisht në ato të zhvilluara, ekziston një shqetësim dhe angazhim i madh politik, akademik e shoqëror në kërkim të sfidave fondamentale që kërkojnë përgjigje:
- Cili është roli dhe vendi i universiteteve në shoqërinë tonë në shek.XXI-të?
- Cili duhet të jetë misioni i universiteteve në funksion të përhapjes së dijes, cilësisë së studentëve të diplomuar, kërkimit shkencor, inovacionit dhe revolucionit 4.0, zhvillimit ekonomiko-social të cdo vendi?
- Si po ndikon globalizimi dhe revolucioni teknollogjik në “formatimin” e universiteteve të së ardhmes ?
Në fillimet e këtij shekulli, debatet për të ardhmen e universiteteve dhe kërkimit shkencor po fokusohen rreth impaktit të tyre direkt e indirekt në katër forcat e mëdha të ndryshimit të botës moderne : stimulimin e teknologjive të reja, përballimin dhe përfitimin nga efektet e globalizimit, formimin e kapitalit social cilësor dhe përmirësimin e mirëqeverisjes.
Cilësia e universiteteve dhe e kërkimit shkencor në raport me zhvillimin ekonomik e social të një vendi konsiderohen të barabarta me efektet dhe produktivitetin e jashtëzakonshëm që japin teknologjitë moderne, inovacionet dhe format e avancuara të drejtimit e menaxhimit.
Roli i universiteteve dhe i kërkimit shkencor, rekomandimet dhe punimet e tyre po vlerësohen si çelësi i kompetitivitetit ekonomik të cdo vendi në kontekstin e përballimit të efekteve dhe pasojave të globalizimit. Vendet e zhvilluara, por dhe ato në zhvillim, si një nga indikatorët bazë të suksesit ekonomik e social kanë performancën e sistemit të tyre universitar dhe kërkimit shkencor, rolin dhe cilësinë e kapitalit human që prodhojnë, udhëhiqen nga filozofia se “universitetet duhet të prodhojnë mendje cilësore dhe jo thjesht koka të mbushura me informacion, dije e njohuri”, duke i dhënë përparësi kreativitetit individual e kolektiv në shërbim të zhvillimit.
Përpara universiteteve sot shtrohen pyetje e sfida thelbësore :
- Si po i përgjigjet sistemi universitar nevojave të shoqërisë në shek. XXI ?
- Çfarë kontributi duhet të japë universiteti dhe kërkimi shkencor në zhvillimin e ekonomisë së dijes ?
- Si mund të matet cilësia dhe impakti i universiteteve në zhvillimin ekonomik dhe social të çdo vendi ? Etj. Megjithëse edukimi është një e drejtë fondamentale e çdo njeriu, ai konsiderohet si një instrument që promovon zhvillimin ekonomik të çdo vendi, si një faktor i rëndësishëm që nxit produktivitetin dhe efikasitetin ekonomik.
Progresi teknologjik ka qenë për të gjitha vendet motori i industrializimit dhe zhvillimit të tyre. Që në kohën e revolucioneve industriale të shek. XVIII – XIX-të dhe deri te “revolucioni 4.0” i kohës sotme – mekanizimi, elektrifikimi dhe prodhimi masiv, elektronika dhe automatizimi, ciber-sistemet Smart Industry – është dëshmuar se zhvillimi i çdo vendi është vepër e njohurive shkencore më shumë sesa thjesht i bollëkut të burimeve natyrore.
Sinteza e kësaj eksperience është dhe mbetet roli thelbësor i edukimit dhe formimit profesional në promovimin e zhvillimit ekonomik të popujve e shteteve të ndryshme që kanë ditur të krijojnë një korrelacion të drejtë ndërmjet këtyre elementeve.
Eksperienca ndërkombëtare dëshmon se jo çdo investim në sektorin e arsimit dhe edukimit përkthehet automatikisht në zhvillim ekonomik. Mjaft vende, megjithëse kanë investuar në sistemin e tyre arsimor, vazhdojnë të mbeten vende të varfra dhe pa progres në procesin e industrializimit, ekonomisë së dijes, teknollogjive moderne dhe produktivitetit. Një zgjerim thjesht sasior dhe mbështetje formale e sektorit të edukimit nuk çon automatikisht në zhvillim ekonomik.
- A mund të jepet një përkufizim gjithëpërfshirës për misionin apo misionet e universiteteve sot?
- A mund të portretizohet “universiteti ideal”?
- A mund të thuhet se cila është mënyra më e mirë e organizimit të universiteteve apo modeli më i mirë i tyre?
Këto janë pyetje e pikëpyetje të vështira, përgjigjet për të cilat kanë lidhje të ngushtë me zhvillimet historike të evolucionit të universiteteve në Shtete e shoqëri të ndryshme, me kontekstin në të cilin përcaktohet misioni universiteteve, ashtu dhe me “luftën” apo përballjen aktuale ndërmjet modeleve kryesore universitare në kontekstin e globalizimit dhe “botës post-pandemike të coronavirusit”.
Nga një këndvështrim i gjerë historik e gjeografik, universitetet i gjejmë të përcaktuar apo aplikuar në katër mënyra të ndryshme:
- “Universitetet e arteve liberale” (liberal arts college), që ofrojnë kryesisht studime në ciklin e parë bachelor në sferën e arteve liberale dhe shkencave, që si synim kryesor kanë “dhënien e njohurive të përgjithshme kulturore, sociale e akademike në shkencat e natyrës dhe ato humane, njohjen e kulturës dhe dijeve të trashëgimisë humane, si dhe zhvillimin e kapaciteteve logjike e intelektuale te studentët, më shumë se sa formimi profesional apo teknik i tyre. Megjithëse origjina e këtij tipi universitetesh është në Europë, aktualisht, ato janë mjaft të ndikuara nga stili dhe menaxhimi i universiteteve të arteve liberale amerikane. Tipari karakteristik i tyre është “madhësia e vogël”, cilësia e lartë e profesorëve dhe bibliotekave e qëndrave të informacionit, komunikimi direkt dhe i personalizuar i pedagogëve me studentët dhe funksionimi i tyre në kampuse të vecanta.
- “Universitetet shkencore”, që falë shkencës dhe metodologjisë pozitiviste kanë si mision kryesor “gjetjen e të vërtetës dhe kërkimin shkencor fondamental” si dhe “kërkimin e aplikuar”. Këto lloj universitetesh janë më të zhvilluara në ciklin e dytë Master dhe ciklin e tretë Doktoratura apo post doktoratura. Nëpërmjet kërkimit fomdamental universitar synohet shpjegimi i ligjeve dhe ligjësive themelore në shkenca të ndryshme, ndërsa nëpërmjet kërkimit të aplikuar veprimet dhe projektet konkrete në sferat e këtyre shkencave. Liria, meritokracia, prestigji publik dhe cilësia e kërkuesve shkencorë përbën kushtin bazë të kreativitetit dhe pjesëmarrjes në deatet shkencore e akademike.
- “Universitetet e shërbimit publik”, të lidhura me zhvillimet dhe preokupimet sociale, ekonomike e politike të vendit, që formojnë ekspertë e menaxherë për nevojat e Shtetit, administratës, qeverisjes qëndrore e lokale, pra, universitete në shërbim të shoqërisë dhe Shtetit. Këto lloj universitetesh nuk janë me natyrë të pastër akademike e shkencore, por e shohin veten në shërbim të nevojave të zhvillimit ekonomiko-social të shoqërisë. Përgjithësisht këto lloj universitetesh funksionojnë si entitete publike të financuara nga Shteti.
- “Universitetet e biznesit” që janë tërësisht në funksion të nevojave të sipërrmarjes, nevojave të zhvillimeve ekonomike e financiare, cilësisë së ekspertëve dhe burimeve njerëzore, ose akoma më shumë, janë organizma universitare të krijuara nga shoqatat e bizneseve, korporatat, dhomat e industrisë dhe tregëtisë, rrjetet kombëtare e ndërkombëtare të zhvillimit, transferimit dhe marketingut të inovacioneve, institutet e kërkim-zhvillimit, etj. Janë kryesisht universitete private, aktualisht në ekspansion të vazhdueshëm.
E thënë në mënyrë më të përgjithshme, këto katër forma të organizimit të universiteteve mund të përmblidhen në dy kategori kryesore:
- “modele akademike” ku futen universitetet liberale dhe ato shkencore, dhe
- “modele utilitare” ku futen universitetet e shërbimit publik dhe universitetet e biznesit, të cilat kanë tendencë të jenë dhe më masivët.
Nga pikëpamja e termit më të afërt me botën akademike, atë të “modeleve universitare” të konsoliduara gjeografikisht e historikisht, që aktualisht po “ndeshen në kuadër të globalizimit”, “lufta” për dominim po zhvillohet ndërmjet :
- “modelit anglo-sakson” (me pëfaqësues më tipikë: Harvard, Stanford, MIT, CalTech, Chicago, Cornell, John-Hopkins, Berkeley, etj, në SHBA, Cambridge, Oxford, LSE, King’s College, etj., në Britaninë e Madhe),
- “modelit tradicional kontinental europian” (Universiteti Humboldt; Universiteti i Munich-ut; Universiteti i Sorbonne-s; Universiteti i Uppsala-s; Ecole Polytechnique fédérale de Zurich; Ecole Normale Supérieure, Francë etj.), dhe “modelit aziatik lindor” (University of Tokyo, National University of Singapore, University of Hong Kong, Peking University, Seoul National University, Hong Kong University of Science and Technology, Korea Advanced Institute of Science and Technology, etj.)
Përtej kësaj “lufte” modelesh universitetesh e filozofish edukimi, në horizont ka filluar kristalizimi i një koncepti të ri universitetesh, që përmblidhen me termin “universitetet e të ardhmes 2050”, të cilat shihen si instrumenti kryesor i kuptimit të qartë dhe reflektimeve që kanë të bëjnë me revolucionin 4.0, big data, revolucionin dixhital, inteligjencën artificiale, start up-et, të cilat kanë efekte e pasoja të jashtëzakonshme për ekonominë, punësimin, shëndetin, mjedisin, bujqësinë, ushqimin, sigurinë dhe gjithë shoqërinë e sotme dhe të ardhme.
Evolucioni i Universiteteve dhe Edukimit : Nga universitetet 1.0. drejt universiteteve 4.0
Universitetet 1.0.
Mënyra e transmetimit të dijeve : unilaterale; Studentët konsumojnë informacionet e dhëna nga personeli akademik; vlerësimi tradicional në formën e provimeve;
Periudha dominuese : shek. XIV – XVII-të;
Konteksti: universiteti i fokusuar në aktivitetin intelektual;
Mjedisi: Auditorët, Amfiteatrot, (konferenca, leksioni, debate), biblioteka, arkiva;
Universitetet 2.0.
Edukimi tradicional nuk ndryshon thelbin e tij, vetëm modenizohet;
Periudha dominuese : periudha e revolucioneve industriale, shek.XVIII-fillimi i shek.XX-të;
Konteksti : Universitetet i përgjigjen kërkesave të revolucioneve industriale;
Mjedisi : Kombinimi i sallave dhe auditoreve me laboratorët;
Me daljen e “Web 1.0 apo Web-it stastik”, edukimi dhe universitetet u pajisën me sisteme virtuale të të mësuarit dhe transmetimit të dijeve; me daljen e Ëeb 2.0., universitetet filluan të përfitojnë nga teknollogjia dhe ta përdorin atë për të ndryshuar metodat tradicionale të të mësuarit dhe transmetimit të dijeve.
Universitetet 3.0.
Studentët filluan të marrin një rol aktiv në gjithë procesin e transmetimit dhe krijimit të dijes;
Filloi zhdukja e kufijve ndërmjet pedagogëve, studentëve, universiteteve dhe disiplinave të ndryshme shkencore; Ky proces po merr formë të plotë dhe po konsolidohet në kuadrin e universiteteve 4.0.
Konteksti : Ndryshime të mëdha të realiteteve sociale, Universitetet tejkalojnë “Studimin e ngurtë apo thjesht fotografimin e botës reale”;
Mjedisi : Shfaqja e laboratorëve kompleks modernë, parqeve teknologjike, laboratorëve pedagogjikë të specializuar dhe të lidhur me projektet e zhvillimit;
Universitetet 4.0.
Të mësuarit 4.0.
Universiteti 4.0 vendos formate dhe qasje të reja mësimore inovative dhe të personalizuara. Ai trajnon qytetarët e botës përmes ndërkombëtarizimit të dijes dhe mobilitetit të studentëve e pedagogëve. Në epokën dixhitale dhe përballë një evolucioni teknologjik, turbulenca ekonomike dhe transformime shoqërore, universiteti paralajmëron ndryshimet të shoqërisë.
Ai parashikon diploma dhe kualifikimet që mund të përmbushen për punët e së nesërmes, rritja e “fleksibilitetit”, e ndikuar nga evolucioni i profesioneve dhe pritshmëritë punëdhënësit, është i fokusuar në të ardhmen. Ai synon përvetësimin nga nxënësit të aftësive universale për të rimenduar, vepruar, parashikuar dhe marrë parasysh zgjidhje alternative për skenarët kompleksë të së ardhmes. Ai adopton një praktikë ndërsektoriale që integron një qasje ndërdisiplinore dhe ndërprofesionale për të maksimizuar bashkëpunimin dhe këndvështrim i përbashkët.
Universiteti 4.0. integron module të përgjithësuara “Soft skills” duke i kombinuar këto me aftësitë emocionale të përshtatjes, kreativiteti, optimizmi, inteligjenca emocionale, të menduarit kritik, fleksibilitete njohëse, gjykime, negocimi, mendje të hapura dhe punë në ekip. Kalimin nga “kuptimi në veprim”, forcimimin e kapaciteteve për të kaluar nga mësimi në veprim mbi botën reale.
Universiteti 4.0 shënon kalimi nga një mënyre pedagogjike me në qendër mësuesin, drejt një mode të mësuarit me në qendër nxënësin. Kjo është në vetvete një paradigmë e re që integron qasje të reja pedagogjike inovative dhe e vendos studentin në qendër të cdo preokupimi. Ai aspiron të edukojë më shumë, shpejt, më mirë, më lirë, më të përshtatshme dhe të pavarur të të kohës dhe hapësirës. Të mësuarit bazohet në teknollogjitë e reja të komunikimit online, plaftformave elektronike dhe krijimit të përbashkët të njohurive.
Të gjitha këto janë qasje pedagogjike dhe sfida organizative që reflektojnë ndryshimi i rolit të mësuesit “transmetues i njohurive dhe ekspert në çështje” në një rol të “animatorit dhe këshilltar mësimor, udhëzues të menduarit kritik dhe lehtësues i informacionit të jashtëzakonshëm në dispozicion të studentëve”.
Hulumtimi/kërkimi shkencor 4.0.
Drejt një kërkimi shoqëror dhe multidisiplinar në kontakt me mjedisin socio-ekonomik duke forcuar inovacionin. Transferimi i njohurive shkencore dhe teknologjisë në një aktivitet vlera ekonomike apo sociale është një prioritet madhor. Hulumtimi 4.0 nxjerr në pah universitin sipërmarrës që integron zhvillimin ekonomik dhe social në misionin e tij, zvogëlon distancën midis shkencave humane, shkencave sociale dhe shkencave teknollogjike, realizon kërkime shkencore inovative dhe ndërdisiplinore për të parashikuar tendencat e ardhshme dhe dinamika e zhvillimit teknologjik dhe social, mjedisit dhe më gjerë duke i vendosur universitetet në një pozicion të ri,duke filluar duke filluar nga zhvillimi i aftësive, ekspertizës dhe ofrimi i shërbimeve deri në krijimin e kompanive të reja dhe inovative.
Ai gjithashtu merr formën e inovacionit në proceset, produktet, shërbimet dhe zgjidhje që mundësojnë bizneset të zvogëlojnë kostot, rrisin shitjet, për të hyrë në tregje të reja, për krijimin dhe ruajtjen e vendeve të punës dhe rritjen e cilësisë në përputhje me nevojat e tregut dhe shërbimetdhe profesionet e reja.
Universiteti 4.0. zbaton strukturat e duhura nxitëse dhe proceset e vendimmarrjes, krijon stimuj që shoqërojnë/inkurajojnë studiuesit për të prodhuar, popullarizuardhe për të “tregtuar” në mënyrë efektive dhe njohuritë shkencore dhe teknologjike. “Research 4.0.” shndërrohet në një motor thelbësor për ndërkombëtarizimin e misioneve të universitetit, kontribuon në efikasitetin, cilësinë dhe përmirësimin e dukshmërisë së universiteti ndërkombëtarisht. Universiteti, falë ndikimit të tij ndërkombëtar në aspektin e prodhimit dhe transferimit të shkencës dhe teknologjisë, është mjaft tërheqëse për studentët e studiuesit e talentuar dhe kreativ si dhe për investitorët.
Qeverisja/administrimi 4.0.
Fleksibël dhe proaktiv duke integruar kulturën e rezultateve me forcimin e kulturës së vendimmarrjes.
Universiteti 4.0. është një biznes, një punëdhënës, një lojtar kryesor në sektorin dhe territorin e tij, një partner i komuniteteve dhe autoriteteve publike. Është vendi i krijimtarisë dhe përhapjes së dijes, një shtyllë thelbësore të mundësive të barabarta. Universiteti është në gjendje të sigurojë një kualifikim të lartë burime njerëzore fleksibël dhe novatore.
Ai promovon kërkimin akademik, krijimin e pasurisë shkencore, teknologjike, kulturore dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe social. Në krye të tij është një organ vendimmarrës i pajisur me autonomi të plotë, ka të legjitimitetit thelbësor për funksionimin, si dhe shkathtësinë të nevojshme për të nxitur dhe përshpejtuar ide dhe projekte novatore.
Universiteti sipërmarrës është autonom financiarisht. Ai është aktiv në Qëndrueshmërinë e burimeve financiare për të realizuar objektivat dhe ambiciet e tij të cilat udhëhiqen nga inovacionet, teknollogjitë e përparuara, inteligjencën artificiale, big data, start-up, etj.
Pjesë përbërëse e praktikave organizative e qeverisëse të universiteteve sipërrmarëse 4.0. janë dhe “Planifikimi strategjik, praktikat e menaxhimit efikas, vlerësimi i cilësisë së shërbimeve dhe aktiviteteve, eficenca e burimeve, transparenca dhe përgjegjësia e cdo strukture menaxhuese, etj.
Sistemi qeverisës “integrues” çon në mënyrë të pashmangshme drejt kulturës së ndryshimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm ndaj inovacionit dhe krijimtarisë, garanton transparencën dhe integritetn akademik të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, vendos kontrollin menaxherial të
veprimtarisë akademike, vlerësim të performancës dhe karrierës. Universiteti 4.0. bëhet një qëndër inovacioni dhe njohurish teknollogjike ku “strehohen” kompani e biznese të ndryshme, qëndra kërkimore, institucione e OJF, etj.
Shfaqja e industrisë 4.0, shërbimeve 4.0 dhe administrimi 4.0 vjen me me një sfidë të thjeshtë por kategorike : diploma është e nevojshme, por nuk është më e mjaftueshme, nuk është “stadi i fundit i të mësuarit”. Universiteti 4.0 formon dhe kualifikon “aktorë drejtues”, jo spektatorë të ndryshimeve, realizon “zhvillim personal”, aftësi kreative dhe inisiativë për të bërë shpejt pjesë e biznesit, menaxhimit, kërkimit shkencor, lidershipit, etj./ Fjala.al/