Presidenti i Republikës Bajram Begaj po merr pjesë në Takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po mbahet në Brdo të Sllovenisë në të cilin marrin pjesë të gjithë Krerët e Shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Presidenti Begaj është shprehur se “zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, çështje gjeostrategjike për sigurinë dhe paqen”.
Bajram Begaj: Më lejoni të filloj fjalën time duke i shprehur një falënderim të veçantë Presidentit Pahor, për mikpritjen e shkëlqyer në këtë Samit, i cili në kushtet e situatës së brishtë aktuale në rajon, kontinent dhe më gjerë, merr një rëndësi të veçantë.
Duke qenë se është hera e parë për mua, dua t’ju falënderoj të gjithëve, kolegë të dashur, për fjalët tuaja të mira dhe mikpritëse.
Jam i nderuar të punoj me ju, të nderuar Presidentë dhe ju siguroj për angazhimin dhe mbështetjen time të plotë, tani dhe në të ardhmen, jo vetëm për nismën Brdo-Brijuni, por edhe për të gjitha kornizat e tjera të bashkëpunimit dypalësh apo shumëpalësh, të cilat do të sjellin përfitime për vendet tona dhe rajonin në tërësi.
Procesi i zgjerimit të BE-së për Shqipërinë dhe rajonin – Rajoni ynë ndan të njëjtin objektiv: të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
Jam plotësisht dakord me pikëpamjet e Presidentit Pahor dhe Presidentit Milanović, dhe e konsideroj procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, si një çështje gjeopolitike kryesisht.
Agresioni ushtarak rus i paprovokuar dhe i pajustifikuar kundër Ukrainës,na qartësoi të gjithëve, si dhe BE-në – së cilës iu desh të ndahej nga mënyra e vjetër e të vepruarit e njëkohësisht të kuptonte, se siguria nuk merret si e mirëqenë.
Ashtu siç tani është më e qartë se kurrë, aktorët e tretë janë një kërcënim real për evropianizimin e rajonit, duke e bërë më të qartë arsyen përse nevojiten vendime të guximshme, për të ruajtur stabilitetin dhe bazën strategjike të BE-së në Ballkan.
Presidenti Begaj u shpreh gjithashtu në lidhje me sulmet kibernetike në vendin tonë nga Irani. Begaj theksoi se “sulmet e fundit kibernetike janë dëshmi e kërcënimeve të rrezikshme nga aktorët e tretë për paqen dhe stabilitetin e rajonit”.
Bajram Begaj: Para disa javësh, dhe sërish dy ditë më parë, Shqipëria ishte nën sulme të rënda kibernetike, të kryera nga aktorë të lidhur me shtetin iranian. Sulmet kishin nën shënjestër të dhënat e qeverisë, sistemet e sigurisë kufitare dhe ndërprenë shërbimet qeveritare digjitale për njëfarë kohe.
Kjo ishte goditja e fundit e një liste arsyesh përse Shqipëria ndërmori veprimin ekstrem të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Një aktivitet i tillë malinj është dëshmi e padiskutueshme dhe e bazuar në faktet e lojës së keqe të aktorëve të tretë në rajon.
Shpresojmë që BE-ja në tërësi të ketë kuptuar përfundimisht se Koha ka rëndësi!, – se ne duhet të përshpejtojmë procesin e zgjerimit.
Kjo do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj lakmisë së vazhdueshme të aktorëve të tretë, për të rritur ndikimin dhe praninë e tyre destabilizuese në rajon.
Pavarësisht ngurrimit të dukshëm, BE-ja ka kapacitetet e nevojshme përthithëse për Ballkanin Perëndimor. Natyrisht, ka pengesa për të kapërcyer.
Disa varen nga ne, por për të qenë të sinqertë, disa edhe nga vetë BE-ja. Disa shtete anëtare të BE-së duhet të kujtohen për rëndësinë e sigurisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për shkakun tonë, por edhe për vetë BE-në.
Veçanërisht përgëzoj rolin aktiv, që ka luajtur mikpritësi ynë dhe Presidenti Milanović në ngritjen e kësaj çështjeje jetike, në Bruksel dhe tjetërkund. Falë angazhimit të tyre, perspektiva integruese evropiane e rajonit, mbetet në fokusin e politikave të BE-së. Samiti BE-Ballkani Perëndimor i organizuar nga Sllovenia, tetorin e kaluar 2021, këtu në Brdo, ishte i dobishëm për të mbajtur rajonin tonë në vëmendje të agjendës së BE-së.
Gjithashtu,dua të përfitoj nga ky rast, për të shprehur vlerësimin tonë për angazhimin së fundmi të Kancelarit të Gjermanisë dhe Presidentit të Francës, në adresimin e çështjeve më të ndjeshme dhe të spikatura të rajonit tonë.
Njëra prej tyre është edhe vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga ShBA-të. Shqipëria e ka mbështetur gjithmonë këtë dialog dhe përfitoj edhe një here nga rasti, të inkurajoj liderët e të dy vendeve, që të vazhdojnë dialogun deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
Eshtë e panevojshme të thuhet, se kjo do të jetë në dobi të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Nga ana tjetër, është e rëndësishme, që kudo të respektohen pakicat dhe të ndërpriten veprimet që tentojnë të shpopullojnë rajone të tëra, siç është procesi i “pasivizimit të adresave”, që po ndodh në zonën e Preshevës. Perspektiva e BE-së ka nxitur transformimin, reformat kombëtare, strategjitë socio-ekonomike në Shqipëri, të cilat gëzonin në masë të madhe mbështetjen e qytetarëve tanë. Gjithashtu, i ka dhënë një shtysë të madhe synimeve tona rajonale për paqen dhe stabilitetin, bashkëpunimin më të madh ekonomik, pajtimin dhe nisma të tjera.
Argumentet tona kanë qenë gjithashtu shumë të qarta për perspektivën e besueshme të BE-së në rajon: një Ballkan Perëndimor i ankoruar fort në BE, është para së gjithash, i rëndësishëm për sigurinë evropiane në tërësi.
Korriku i vitit 2022 shënoi arritjen që ne jemi përpjekur prej vitesh: Hapja zyrtare e Negociatave është një sinjal i fortë se perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe rajonit është ende e mundshme.
Ky moment historik për Shqipërinë vjen si rezultat i viteve të proceseve transformuese në vend, si dhe i mbështetjes së mirëvlerësuar të vendeve të BE-së dhe vendeve të tjera mike.
Ne jemi mirënjohës për këtëpërkrahje dhe në funksion të procesit kërkues deri në anëtarësimin e plotë në BE, varemi nga mbështetja dhe inkurajimi i tyre. Ne presim me padurim pjesëmarrjen cilësore në politikat dhe programet e BE-së, si dhe integrimin gradual në strukturat e Këshillit.
Besojmë, se në mënyrë që perspektiva e BE-së të mbetet e zbatueshme, BE-ja duhet të veprojë edhe në integrimin e vendeve të tjera të rajonit, në mënyrë që rajoni të përparojë në tërësi – siç është, për shembull, procesi i vonuar i liberalizimit të vizave për Kosovën. Shpresoj, që ne të mund të ndjekim ritmin dhe të mbajmë fokusin gjeostrategjik.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj u ndal dhe tek agresion rus në Ukrainë teksa theksoi se “lufta në Ukrainë është pikë kthese për qasjen e BE-së ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor.”
Bajram Begaj: Kur Rusia nisi agresionin e saj ushtarak në Ukrainë, askush nuk e imagjinonte kohëzgjatjen e tij apo valët tronditëse që do të sillte nëpër Evropë dhe më gjerë. Tashmë, kanë kaluar 6 muaj dhe konflikti ende po riformëson të gjithë skenën ndërkombëtare gjeopolitike dhe gjeoekonomike.
Nga ana tjetër, vuajtje të jashtëzakonshme, mijëra civilë të vrarë, qytete të tëra të rrënuara, miliona refugjatë, si dhe një krizë e rëndë ushqimore dhe energjetike, të përkeqësuara nga një kërcënim bërthamor. Një mori sfidash serioze, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të gjitha vendet dhe rendin botëror.
Nën frymën e solidaritetit, Shqipëria ishte një ndër vendet e para që dërgoi municione në Ukrainë, kontribuoi me 1 milion € për rindërtimin e saj në Konferencën e Donatorëve në Varshavë, miratoi ligjin e nevojshëm për të lejuar ukrainasit në vendin tonë, duke qenëplotësisht në harmoni me sanksionet e BE-së.
Brenda organizatave shumëpalëshe, Shqipëria ka qenë e zëshme për çështjen ukrainase, veçanërisht do të doja të theksoja rolin tonë aktiv, si vend jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për periudhën 2022-2023.
Sot, ne rikonfirmojmë solidaritetin tonë të plotë me popullin trim ukrainas dhe mbështetim sovranitetin e integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, duke i bërë thirrje Rusisë të ndalojë luftën dhe të tërheqë trupat e saj.
Për sigurinë energjetike dhe sigurinë ushqimore – Është e qartë se kjo luftë e ka përkeqësuar sigurinë energjetike, e ka thelluar pasigurinë globale ushqimore dhe ka vënë në pikëpyetje arkitekturën globale të sigurisë në një botë të globalizuar.
Shqipëria nuk preket nga ndërprerja e furnizimit me gazinrus. Por në mënyrë indirekte, kemi vënë re një rritje të çmimeve të energjisë, situatë mjaft të rënduar për ekonominë tonë dhe familjet shqiptare.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sigurinë ushqimore. Deklarata e Borrel-it, se po jetojmë kohët e “diplomacisë ushqimore”, na rikthen konceptet e gjeopolitikës së urisë apo edhe më keq.
Bllokada, shkatërrimi i porteve dhe infrastrukturës në Detin e Zi, të Ukrainës nga Rusia, po prish furnizimin jetik me mallra ushqimore dhe produkte kryesore bujqësore, thelbësore për sigurinë globale të ushqimit. Ndërprerja masive e prodhimit, tregtisë dhe rritja globale e çmimeve të karburanteve, ushqimeve dhe energjisë, si rezultat i luftës, po përkeqësojnë pabarazitë ekzistuese kudo, duke rrezikuar sigurinë ushqimore.
Trajtimi i pasigurisë ushqimore në mbarë botën kërkon ndërveprim urgjent, të koordinuar dhe shumëpalësh. Komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë edhe më tej, për të krijuar një kalim të sigurt të ngarkesavetë anijeve, që transportojnë grurë nga portet e Ukrainës.
Shqipëria mirëpret marrëveshjen e lehtësuar nga OKB-ja dhe Turqia për të çliruar portet ukrainase në Detin e Zi dhe për të hapur rrugën për eksportin e miliona tonëve drithë ukrainas, që nevojiten dëshpërimisht, si dhe të drithërave dhe të plehrave kimike ruse.
Ushqimi, si kudo në rajonin tonë,edhe në Shqipëriështë thelbësor,e përfaqëson pjesën dominuese të shpenzimeve familjare. Ne varemi konsiderueshëm nga ushqimi i importuar. Me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, norma e inflacionit ka arritur nivele të paprecedent. Bujqësia është shtyllë e rëndësishme e ekonomisë sonë, e cila përballet me rrezikun e ndërprerjeve, në tregtinë globale të plehrave kimike, duke ndikuar ndjeshëm në jetesën e shumë fermerëve në Shqipëri.
Kjo krizë është përkeqësuar në Shqipëridhe për shkak të pasojave pas tërmetit të vitit 2019 e pas pandemisë së COVID-19,si edhe projekteve të rehabilitimit, duke ushtruar presion të shtuar ndaj shpenzimeve publike.
Së fundmi, por jo nga rëndësia, ndihem i keqardhur për faktin që këtë here nuk mundësohet nënshkrimi i një deklarate të përbashkët. Ndërsa presim që BE-ja dhe shtetet e saj anëtare ta kuptojnë zgjerimin si një çështje gjeopolitike, në të njëjtën mënyrë, ne duhet të përshtatim sjelljen tonë politike në këto kohë sfiduese për vendet tona dhe rajonin.
Jam i bindur se vetëm bashkëpunimi i dobishëm, nën frymën e mirëbesimit, fqinjëve dhe partnerëve të mirë, do t’i afrojë vendet tona me njëri-tjetrin dhe me BE-në.
/a.r