Mbrëmjen e djeshme ishte falja e fundit në xhaminë e Plumbit në Shkodër. Kjo sepse xhamia tashmë do të jetë një kantier ndërtimi, ku do i nënshtrohet rikonstruksionit. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, teksa e ka cilësuar si një nga objektet më origjinale të arkitekturës islame në botë.
“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë se pas faljes së fundit mbrëmë në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, u hap kantieri më i ri në fushën e trashëgimisë kulturore, për një nga objektet pa asnjë ekzagjerim më origjinale të arkitekturës islame në botë, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.
Restaurimi i kësaj xhamie do të bëhet nga Turqia, pas një marrëveshje të arritur mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke në vizitën që kreu i qeverisë bëri në 6 janar të 2021. Projekti është gati dhe për herë të parë nuk do të restaurohet vetëm objekti, por edhe zona përreth, teksa ministrja e Kulturës, Elva Margariti më herët garantoi se nuk do të ketë tjetërsime, por do të ruhen elementët origjinal.
Xhamia e Plumbit ose Xhamia e Mehmet pashë Bushatit (tr. Kurşunlu Cami) është një xhami historike dhe monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. E ndërtuar më 1773/1774, është ndërtesa më e mrekullueshme e vjetër dhe xhamia osmane më e madhe në të gjithë Shqipërinë.
g.kosovari