Mediat malazeze kanë njoftuar ditën e sotme se është ekzekutuar në Turqi bosi i bandës famëkeqe të drogës “Skaljari”, Jovan Vukotiç.
Sipas mediave malazeze Vukotiç është qëlluar nga një motoçikletë, ndërsa ai ishte duke lëvizur me makinë, ku brenda mjetit ndodhej gruaja dhe vajza e tij.
Ndërkohë që policia e Malit të Zi ende nuk ka konfirmuar vdekjen e bosit famëkeq.
“Shërbimet malazeze po përpiqen të marrin informacion dhe konfirmim nga kolegët në Turqi. Megjithatë, procedura është e ngadaltë.” – tha Drejtoria e Policisë për radio Antena M.
Vukotiç ishte në arrati pasi autoritetet gjyqësore malazeze në shtator të vitit të kaluar lëshuan një urdhër për arrestimin e tij.
Ai figuron në dosjet dhe dokumentet e policisë së Malit të Zi si një nga drejtuesit e bandës së drogës me qendër në qytetin e Kotorrit. Në vitin 2018 ai mohoi përfshirjen në trafikun e drogës.
Në dhjetor 2020, Prokuroria Speciale e Shtetit e akuzoi Vukotiçin për krijimin e një organizate kriminale dhe për përgatitjen e vrasjes së tre anëtarëve të bandës rivale të drogës Kavac.
Sipas prokurorisë, Vukotiç planifikoi të vriste Slobodan Kascelan, të supozuar si mbret i bandës së Kavacit, dhe Veljko Belivuk dhe Marko Miljkovic, krerët e një bande tjetër famëkeqe nga Serbia.
Vukotiç u akuzua si rezultat i provave të marra nga komunikimet e Sky EÇ, të marra dhe të transmetuara nga policia franceze dhe holandeze, për krime që përfshijnë trafik droge, vrasje dhe rrëmbim.
Banda e Skaljarit është përfshirë në një luftë gjashtëvjeçare me bandën rivale të Kavacit, po nga Kotorri. Të paktën 40 persona janë vrarë në Mal të Zi, Serbi, Austri dhe Greqi në konflikt. Të dyja bandat i kanë marrë emrat e tyre nga lagjet e Kotorrit, një qytet mesjetar me rreth 20,000 banorë në Gjirin Boka të Malit të Zi.
Konflikti nisi në vitin 2015, pasi 300 kilogramë kokainë u zhdukën nga një apartament në Valencia, Spanjë, në vitin 2014.
Në vitin 2018, Vukotiç u arrestua në Turqi dhe u ekstradua në Serbi, ku Gjykata e Lartë në Beograd e dënoi me 15 muaj burg për përdorimin e një pasaporte të falsifikuar maqedonase.
Në shkurt të vitit 2020, ai u ekstradua në Mal të Zi, ku u akuzua për tentativë vrasjeje të anëtarëve të bandës së Kavacit. Por në korrik të atij viti Gjykata e Lartë në Podgoricë i hoqi akuzat dhe ai u lirua.
Mediat raportuan se anëtarët e bandës rivale u përpoqën të vrisnin Vukotiçin ndërsa ai ishte në burg në Mal të Zi, pas ekstradimit nga Serbia.
Një nga viktimat e luftës gjashtëvjeçare të bandave të drogës ishte vetë babai i Vukotiçit, Veselin, i cili u vra në Kotorr në mars 2019.
/e.d