Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se Serbia po hynte në vitet e një rritjeje dinamike ekonomike dhe për pasojë edhe financat publike do të mund të përmirësoheshin.
Duke folur në sesionin e parë të Iniciativës Gjermano-serbe për Rritje dhe Punësim të Qëndrueshëm, që po zhvillohet në Beograd, Vuçiç tha se FMN-ja kishte parashikuar një rritje prej 1,75 për qind për Serbinë gjatë vitit 2016, ndërkohë që qeveria vlerësonte se kjo rritje ekonomike do të ishte mbi dy për qind.
”Për vitin 2017 FMN-ja ka parashikuar një rritje mbi dy për qind, ndërkohë që qeveria këtë rritje e vlerëson në mbi 2,5 për qind”, këmbënguli Vuçiç.
“Ne po futemi në vitet e një rritjeje dinamike”, shtoi ai.
”Edhe financat publike do të përmirësohen dhe mbetet i qenësishëm fakti që vendi të ecë në drejtimin e duhur”, vlerësoi kryeministri serb.