Nga Ben Andoni
Kongresisti konservator Maikëll Xhon Gallager e shprehte në mënyrë shumë lakonike konceptin bashkëkohor për liberalin e vendit të tij, më saktë SHBA-së, liderit të liberalizmit në botë: “Liberalëve u pëlqen të bërtasin për ‘fjalën e lirë’, por është shumë e qartë për shumicën prej nesh se ata nuk tolerojnë në të vërtetë asnjë fjalim përveç të tyret”.
Nuk do shumë të kuptosh se për kohën, emancipimin demokratik dhe mënyrën sesi është zbatuar: liberalizmi shqiptar është kaotik dhe po të mbështeteshim në gjykimin mbi shtyllat e tij kryesore mund të thuhej se: i sakti është vetëm në letër. E, jo vetëm në Shqipëri por ngado në vendet post-komuniste. Anipse, ka edhe një paradoks më të madh kur flitet për Shqipërinë, se të dyja partitë kryesore që e kanë drejtuar vendin, PS dhe PD-ja bashkë me PL-në (LSI-ja e shndërruar brenda dy orësh), kur janë në opozitë flasin me terma liberale për nevojën e zgjedhjeve të lira, tregun e lirë, për zbatimin e kushtetutës, respektin e individit dhe zgjedhjet e tij, etj., por menjëherë sa vinë në fuqi shndërrohen në plotfuqishmëri dhe kinse harrojnë. Përçudnimi është i madh pasi mungesa e një forme kanonike liberalizmi e ka bërë jo vetëm demokracinë shqiptare për shumëcilën në Ballkan e pranë nesh, një demokraci hibride. Një shembull vjen nga Shqipëria, ku biznesmenët janë gjithnjë e më shumë pranë PS-së, Partisë së Majtë dhe bëjnë ligje në interes të tyre, që shpesh e prishin tregun e lirë, ashtu si tek e Djathta që po kalcifikohet në opozitë (e në shpirt mëtojnë se janë liberalë, por që nuk e respektojnë), kërkojnë revanshin dhe mbi të gjitha ato benefice, që tashmë i identifikojnë me terma të së Majtës shqiptare, e në mënyrë haluçinative flasin për konservatorizmin!!! Një mish-mash ose amalgamë dhe për vetë paqartësinë ndaj liberalizmit. Po nga rrjedh kjo amalgamë e habitshme? Intelektualët shqiptarë duke qenë përballë një shoqërie shumë të çrregullt, me rregulla loje që ndërrohen sipas orekseve politike, tashmë prej nëntë vitesh në pushtet të Ramës, jo vetëm nuk gjejnë vend por po bëjnë flirte të frikshme me pushtetin. Rasti i Shqipërisë dhe i jo pak vendeve të Lindjes dhe Qendrës së Evropës është fare i hapur. Në një farë mënyre, provon atë që thoshte në mesin e viteve ‘70 Friedman, kur Lindja me Perëndimin në Evropë i ndante më shumë se një kufi: Perdja e Hekurt: “Dy armiqtë më të mëdhenj të shoqërisë ose sipërmarrjes së lirë janë vetë në një anë intelektualët dhe në tjetrën biznesmenët, por për arsye të kundërta. Çdo intelektual beson në lirinë për veten, por është kundër lirisë për të tjerët. Ai dëshiron lirinë e fjalës, lirinë akademike mirëpo kur vjen puna tek ekonomia… Ai mendon se duhet të ketë një qendër të planifikimit qendror, e cila do krijojë përparësitë shoqërore. Biznesmenët janë thjesht e kundërta – çdo biznesmen është në favor të lirisë për të gjithë të tjerët, por kur bëhet fjalë për vete, sipas tyre kjo është një çështje tjetër. Ai mendon se përbën gjithmonë rastin e veçantë. Ai mendon se meriton të marrë privilegje të veçanta nga qeveria”.
Rasti shqiptar e tregon më së miri këtë trend, pasi liberalizmi trajtohet ende si nga ato gjërat e mbetura nga kapitalizmi “i keq”, si një lloj dogme që mbron e mbështet vetëm kapitalistët apo borgjezët. Ende është e madhe urrejtja në vend për biznesmenët apo e këtyre të fundit për njëri-tjetrin, duke përdorur qeverinë pro apo kundër interesave. Në liberalizëm individi duhet të vendosi vetë për fatin e tij dhe me të drejtë mëtohet se karakteristikat e individit janë primare edhe pse është Perëndimi që po e çorodit konceptin liberal, apo si e thotë politologu Krastev:”… në fakt goditjen më të madhe liberalizmi po e merr nga vendet perëndimor, ku modeli nuk është tërheqës për vendet që balancojnë midis autoritarizmit dhe demokracisë”.
Paqartësia e liberalizmit, në fakt mosrespektimi i tij, rrjedh nga një fakt shumë më domethënës: mënyra sesi po shpërdorohet pushteti në Ballkan e Evropë pas zgjedhjeve. Rasti i Shqipërisë, që kulmoi me qeverinë e Berishës dhe pushteti që mblodhi ai dhe ajo që po arrin tashmë me Ramën është evident. Ai që fiton zgjedhjet ka të drejtë, sipas Zakarisë të ndryshojë konceptet për liritë civile, për parimet e lojës politike, të rregullave të lojës në tregun e lirë, për të drejtat e njeriut, për rregullimin ligjor të kushtetues e të veprimtarisë së vet; me fjalë të tjera: “demokracia jo liberale është ai sistem qeverisjeje, në të cilin pushteti i dalë nga një palë zgjedhje dosido i jep të drejtën vetes për të qëndruar mbi ligjet e mbi gjithçka tjetër”, sipas Zakarisë. Kryeministri Rama po e demonstron me një forcë të tillë cinizmi mbi kundërshtarët, ku rregullat e lojës ndryshojnë vazhdimisht apo kur një aparat i tërë është i përfshirë thjesht në zbatimin e shumë akteve qeveritare, që jo pak herë çalojnë. Ky është edhe argumenti për demokracinë e brendshme të Parisë Socialiste ku Rama mëton se nuk ka pse të bëhen zgjedhje, kur në të vërtetë ata vazhdojnë të jenë fitues!! Ato bëhen për formë në fakt dhe në formë PS-ja është një parti e kuruar, shumë më tepër sesa edhe PD-ja, që bënte gati të njëjtën gjë, kur ishte në fuqi.
Po pse vazhdon kjo tallje me liberalizmin kaq pa ndërprerje? Vetë demokracia shqiptare nuk e gjen dot veten përballë liberalizmit siç duhet.
“Është e drejtë të thuhet se ajo që ne përballemi në Evropën Qendrore dhe Lindore nuk është një krizë e demokracisë, por një transformim i thellë i regjimeve demokratike si rezultat i fundit të tranzicionit. Është antagonizmi ndaj politikës së periudhës së tranzicionit – atë që ne mund ta quajmë ‘liberalizëm real ekzistues’ – në vend të ideologjisë liberale që po nxit revoltën aktuale kundër liberalizmit në rajon”, -shkruan Grzegorz Ekiert tek “The Illiberal Challenge in Post-Communist Europe Surprises and Puzzles” Në këndvështrimin historik, tranzicioni shënoi fitoren e revolucionit demokratik, por jo të parimeve të liberalizmit. Pasi demokracia e vërtetë dhe liberalizmi kanë dhe jo pak sfida, që të identifikohen dhe të jenë në korrelacion të drejtë me njëra-tjetrën. “Shoqëritë postkomuniste arritën të transformonin në mënyrë paqësore sistemin komunist, të ndërtonin institucione demokratike dhe të tregut, të prodhonin rritje ekonomike dhe, më në fund, të bëheshin pjesë e Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, tranzicioni çoi në shtresim të shpejtë shoqëror që lëndoi me dhimbje shumë njerëz, ndërsa privilegjoi disa. Kështu, shtetet postkomuniste sot janë jashtëzakonisht të ndryshme, përballen me sfida të ndryshme dhe angazhimi i tyre ndaj institucioneve liberale politike dhe ekonomike është i pabarabartë”, vëren Ekiert (Ibid).
Fatkeqësisht binomi demokraci- liberalizëm përbën një sistem demokracie që apriori vendeve që mëtojnë ta bëjnë u quhet si kontribut. Veçse me krizat e tanishme dhe ato të mbartura, apo edhe me problematikat që paraqet individi i sotëm, me malin e veseve dhe me një liri të pakonceptueshme e shpesh konfuze, po ngrihet një sistem, që po merr grushte nga të gjitha anët.
Në Balkan nuk bëhen më zgjedhje të lira dhe të qarta, kurse shumica e vendeve syresh i anatemon fituesit për shumën e pretenduar të parregullsive që i numërojnë njëri-tjetrit. Koncepti i demokracisë tek ne mbetet që fituesi i merr të gjitha dhe ai vendos për gjithçka, ashtu si rregullat e lojës në ekonomi e politikë ndryshojnë që të adaptohet shteti për interesat e qeverisë dhe jo qeveria për modele më të mira zhvillimi, me hapësirë më të madhe lirie për tregun dhe individin. Kryeministri Rama është gati të anatemojë drejtësinë, për çdo pakënaqësi, paçka se është vetë në pushtet; ta dërrmojë median dhe më shumë akoma të mbajë me tregun marrëdhënie aspak të qarta. A është thjesht e vetëm faji i tij, apo postkomunizmi nuk mundi ta gjejë veten në oqeanin e liberalizmit:”Fillimisht, post-komunisti u konsiderua, me disa arsye të mira, si mjedisi më jomiqësor në të cilin mund të ndërtoheshin rende liberale politike dhe ekonomike. Rezultatet liberale vështirë se priten dhe studiuesit parashikuan kthimin në sundimin e ‘demagogëve, priftërinjve dhe kolonelëve’ ose shfaqjen e ‘ekonomive të tregut me performancë të ulët, institucionalisht të përziera dhe demokracive jo të plota, elitiste dhe përjashtuese’”, shkruan Bela Greskovits tek “The Political Economy of Protest and Patience: East European and Latin American Transformations Compared” .
Pas mbarimit të socializmit, Shqipëria por edhe simotrat e saj të Lindjes e patën të vështirë përballjen me katër sfidat e vështira të liberalizmit: pushtet demokratik funksional; transformimin e ekonomisë së centralizuar në një ekonomi të tregut të lirë; shtetin ligjor, si edhe një shoqëri civile të gjallë e plot dinjitet që do të siguronte mbështetje për të dyja demokracinë e punës dhe ekonominë e tregut. Një palë vendesh ecën pak më mirë, kurse trashëgimia e përbashkët komuniste duket se nuk bëri shumë dallime. Të gjithë vendet e Lindjes, nisën gati një lloj qesëndie me vetë liberalizmin, duke shkuar deri aty sa në vitin 2007, politologu Krastev do pohonte se:“epoka liberale që filloi në Evropën Qendrore në vitin 1989 ka marrë fund. Populizmi dhe joliberalizmi po e copëtojnë rajonin.”
Liderët e Shqipërisë sfidën e parë ia kthyen tregut të lirë, siç po bëhet tani me Bordin e Çmimeve, kurse shteti i Berishës, Ramës dhe Metës nuk e kuptoi kurrë forcën e demokracisë dhe rregullin e ndryshueshmërisë së qeverisjes, por mbi të gjitha rregullat e lojës të barabartë, atë që i bënte të gjithë të barabartë me ligjin; atë që biznesmenët të rrinin larg politikës për të lobuar e korruptuar; për t’i bërë transparente financimet e partive; individi të ishte i lirë dhe jo kaq i varur nga politika etj. Nëse qeveria Rama do e krijonte këtë precedent për një qeverisje ku privati të punonte normal dhe i patrazuar, që punëdhënësi më i madh të mos ishte shteti apo që individi të ishte krejtësisht i lirë të votonte e të kishte zgjedhje të pakontestuara, atëherë Shqipëria e kohës së tij do kishte një stad liberalizmi të mirë. Por, ky nuk është rasti i Shqipërisë, Ka kohë tashmë për tallje me liberalizmin dhe demokracinë që endet më kot për të zenë vendin e duhur në vendin tonë. E për fat të keq, edhe në Evropë, SHBA e ngado. (Homo Albanicus)