Krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe disa shtete jo anëtare pranë BE-së do të ftohen të marrin pjesë në samitin e parë të Komunitetit Politik Europian muajin e ardhshëm.
Eventi organizohet pak përpara një takimi jozyrtar të krerëve të Bashkimit Europian në 7 tetor. Ftesat do të dërgohen së shpejti për samitin, e planifikuar të nisë në 6 tetor në Pragë, me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Norvegjisë, Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit, Mbretërisë së Bashkuar, Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë. Në të pritet te marrin pjesë edhe Turqia, Armenia dhe Azerbajxhani.
Gjatë diskutimeve me ambasadorët javën e kaluar, Macron sqaroi se forumi i ri politik europian do të takohet çdo gjashtë muaj. Të jemi të qartë, sqaroi zyrtari europian, ky nuk është zëvendësim i zgjerimit. Disa vëzhgues megjithatë kanë shqetësime se propozimi mund të nënkuptojë kërkimin e një “alternative” ndaj shtrirjes së bllokut BE-së, të cilën Franca dhe disa vende të tjera të Europës Perëndimore, e shihnin me skepticizëm përpara se pushtimi rus i Ukrainës t’i jepte procesit një hov të ri./m.j