Ka rënë në prangat e policisë Aldo Kodra, i cili në bashkëpunim me vëllanë e tij plagosi 19-vjeçarin Reginaldo Kaçorri, te “Komuna e Parisit” një vit më parë.
“Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit“.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
- A. K., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje“, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi më datë 27.05.2021, në rrugën “Liman Kaba”, dyshohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin K. K. (i shpallur në kërkim), ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin R. K., 19 vjeç.
Gjithashtu, në ngarkim të shtetasit A. K. u referuan materialet shtesë në Prokurori, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, pasi dyshohet se ka kaluar kufirin më mënyrë të paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.
Por si ndodhi konflikti mes të rinjve?
Ngjarja ka ndodhi rreth orës 15:45, në rrugën “Liman Kaba”, në afërsi të një lokali.
Para se të shkrepej arma e zjarrit, ka pasur përplasje mes dy grupeve, atë të autorit dhe të plagosurit. Ata fillimisht kanë qenë në dy tavolina të ndryshme në një lokal kur nisi edhe sherri mes tyre për motive banale.
Sherri fillimisht nisi me grushta e shkelma ndërsa më pas ka avancuar në përdorimin e armëve të zjarrit.
g.kosovari