Nga Artur Ajazi
Betejat politike në Shqipëri, (natyrisht ato për pushtet) kanë qenë gjithmonë arena debatesh, akuzash, përleshjesh mes palësh. E mbani mënd Sali Berishën, si doli nga zyra e Ramiz Alisë, sapo fjalën i pari e mori Neritan Ceka ? Prej aty, ai zbuloi vesin e fshehur. Ndodhte kështu edhe me ish-qeverisjen e para 1990. Edhe asokohe kishte beteja të pastra satanike, ku arrestoheshe sepse “nuk kishe treguar respekt dhe besnikëri ndaj partisë”. Kaq mjaftonte, të niste ndaj teje (edhe pse ishe me grada dhe ofiqe) sulmi nga salla, miqtë, shokët, kolegët, pa e ditur të gjorët se, një ditë do tu vinte edhe atyre “mandata”. Sistemi politik në Shqipëri ndryshoi jo për shkaqe “desidentësh”, as edhe për shkaqe të tjera sensibiliteti politik. Ishte thjesht një rrokadë e porositur nga Ramiz Alia, i cili kishte gjetur njerëzit e duhur për trashëgiminë politike, ekonomike, sociale, etj. Nuk mund të kuptohej ndryshe, një betejë për pushtet në Shqipëri pa arrestuar, dënuar dhe pushkatuar. Nuk mund të kuptohet ndryshe edhe sot një betejë politike gjithmonë për marrje pushteti, pa patur djallëzinë në mes.
“Do t’ju kthej paratë 100 per qind, do të arrestoj shkaktarët e shkatërrimit të shtetit në 1997”-tha Nano, dhe asgjë nuk bëri. “Do të çoj në qeli klanin e Zemunit, do të arrestoj dhe dënoj, pastaj do t’ju marr edhe paratë e trafiqeve dhe korrupsionit Nanos dhe grupit të tij”-tha Berisha, dhe asgjë nuk bëri. Ndërkohë vendi zhytej në krime, trafiqe, korrupsion, gjithçka ishte piramidë e pastër korruptive. Shteti që la Sali Berisha në 2013, ishte një katastrofë. Me borxhe, me vepra të nisura dhe panisura, me para të zhvatura nga tendera të pabërë, me ish-ministra dhe ish-zyrtarë të pasuruar. Mbi 70 per qind, e atyre që sot rrethojnë Sali Berishën (por edhe ai vetë) janë të krimbur në miliona euro, në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, brënda dhe jashtë vendit.
Edhe Edi Rama, erdhi në pushtet me goxha premtime, natyrisht duke mos munguar edhe ai më kryesori “ndjekje penale për bandën e pushtetit dhe regjimit të Sali Berishës”. Edhe pse mund të gjejmë njëfarë “justifikimi” në rrugëtimin e pushtetit të Edi Ramës prej 2013, pasi ndodhën fatkeqësira dhe kriza të rënda, gjithsesi ajo që mbetet për tu thënë është se “ndaj ish-kryeministrit dhe bandës tij, deri sot nuk është bërë asgjë”. Berisha ka kohë të merret edhe me gjyqet e tij në Francë për heqjen e damkës “non-grata”, ashtu siç ka kohë të tepër (pasi ka xhepat plot me milionat e pushtetit) të merret me partinë, akuzat dhe denoncimet ndaj “regjimit Rama”, apo siç ka kohë dhe mundësira të reja për tu marrë edhe me “kalkulime për qeverisjen e ardhshme”. Ai ka kohë që ka nisur fushatën dhe betejën elektorale, sipas stilit të tij të vjetër. Politikën, ish-lideri historik përmes betejave satanike, (djallëzore) e quan “mjet përfitimi”, pasi vetëm ato mund ti zgjasin atij pafundësisht, karrierën e nisur 32 vite më parë. Ai mbetet ende në skenën politike, shembulli më i keq për politikanët e rinj të partisë tij, prej nga rreket të realizojë misionin e (pa) mundur të rikthimit të pushtet.