Agjentët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore do t’i nënshtrohen testit të drogës, ashtu si edhe efektivët e policisë.
Kriteri përcaktohet në rregulloren e re të AMP të miratuar nga qeveria, e cila është botuar në fletoren zyrtare prej datës 2 shtator.
Çfarë thuhet në rregullore:
“Punonjësi është përgjegjës për përdorim të lëndëve narkotike nëse:
- Mban lëndë narkotike në mënyrë të jashtëligjshme
- Përdor lëndë narkotike
- Refuzon t’i nënshtrohet testit të përdorimit të lëndëve narkotike
Pak kohë më parë në krye të agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, u emërua ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili u lirua nga detyra si zv-ministër i Energjsië dhe Infrastrukturës.
Ndër të tjera, mësohet se kush refuzon testin e drogës përjashtohet automatikisht nga radhët e agjencisë. Gjithashtu punonjësit paralajmërohen të tregojnë kujdes në përdorimin e mediave sociale, ndërsa në paraqitje televizive mund të dalin vetëm me veshje zyrtare.