Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar një “vjeshtë të nxehtë” duke deklaruar se opozita do të jetë në çdo shesh për të bërë të mundur marrjen e pushteteve nga kryeministri Rama. Ish-Presidenti ka bërë me dije se këto pushtete “të vjedhura” sipas tij, do t’i kthehen popullit. Ai ka paralajmëruar protestë javën e ardhshme më 13 shtator te inceneratori i Tiranës.
I ftuar në emisionin “Log.” në Abc, me gazetarin Endri Xhafo, Ilir Meta paralajmëroi se ditën e nesërme do të ketë prova të reja lidhur me djegien e mbetjeve në Shijak.
Në një bashkëbisedim me analistët Lorenc Vangjeli dhe Neritan Alibali, Meta tha se e rëndësishme për Partinë e Lirisë është të mbrojë interesat e qytetarëve shqiptarë.
Pjesë nga biseda:
Meta: Nesër do të keni fakte të reja nga afera e Shijakut, që nuk është zjarr i vogël. Ajo që ka ndodhur me inceneratorin nuk mbulohet. Kjo e Shijakut nuk ndodh vetëm në Shijak, por ndodh edhe në shumë bashki të tjera ku plehrat depozitohen në vende që nuk janë për këtë punë. E dinë qytetarët. Ata për çështjen e marrëveshjes le të shkojnë dhe ta sqarojnë në Prokurori. Ne do të jemi pranë komunitetit të Shijakut për t’i mbrojtur.
Vangjeli: Unë do ta quaja një gjë të madhe këtë gjë. E liga tashmë është në këndvështrimin e projektori publik.
Meta: Për ne është e rëndësishme të mbrohen qytetarët, të mbrohen taksat e tyre. Ne do të jemi kudo ku është ky problem.
Alibali: Unë e shoh pak më gjerë çështjen e zjarrit në Shijak. Mbi bazën e konferencës ku ju paraqitët marrëveshjen e Shijakut me inceneratorët, tregon që ka një lidhje mes këtyre vagabondëve të vegjël që e përdorin pushtetin e tyre për të përfituar dhe ata vetë.
Meta: Nëse do t’i sjellin në Tiranë kushton karburanti, lëri aty, digji aty. Duhet revolucion në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Alibali: Që nga krijimi i LSI-së, deri në ditën e sotme ju keni dy lloj sjelljesh. Ajo që vë re është se duke filluar nga krijimi i LSI deri në 2 mars ju keni qenë një lider i fortë por institucional. Nga 2 marsi e këtej ju dukeni sikur i jeni shmangur luftës institucionale dhe keni kaluar në një lloj populizmi dhe shikoni se mjetet e luftës jashtë institucionale janë më efikase. Çfarë ka ndodhur me ju?
Meta: Asnjëherë nuk ka qenë më rëndë Shqipëri se sa sot në kuptimin e institucioneve që nuk funksionojnë. Kur falsifikohen procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kur ndodh ajo që ndodh, kur shkojnë e betohen te noterët privatë dhe Presidenti i bëhet presion të pranojë një situatë të tillë, përderisa erdhëm në atë situatë…nuk jam bërë populist, por janë legjitimuar aq shumë institucionet, kanë rënë aq shumë në thundrën e një njeriu të vetëm sa që rruga e vetme është ajo e aktivizimit qytetar dhe e rikthimit të fuqisë te populli.
/e.d