Një këngëtar shqiptar do të ngjitet më 9 shkurt në skenën e teatrit Ariston në festivalin e Sanremos. Ai është Ermal Meta, 33 vjeç, i lindur në Fier.
Në faqen e RAI-t në internet prej dy muajsh qarkullon kënga me të cilën kantautori shqiptar do të debutojë në festivalin më të madh të muzikës italiane.
“Odio le favole” është kënga që shënon rikthimin e një shqiptari në Sanremo pas prezantimit disa vite më parë të Elsa Lilës, një hit kushtuar jetës së përditshme dhe problemeve me të cilat na përball çdo ditë.
Ndonëse do të këndojë në kategorinë e të rinjve, Ermal Meta nuk është i panjohur në muzikën bashkëkohore italiane. Përveçse bashkëthemelues në vitin 2007 i grupit “La Fame di Camilla”, ai njihet si autori i disa hiteve të suksesshme të Marco Mengonit, Ema Marrones, Giusy Ferrerit apo Patty Pravos, dhe vlerësimet për të kanë qenë përgjithësisht pozitive duke e cilësuar si “kompozitori që po sjell një frymë të re në muzikën italiane”.
Në këtë rast, një frymë shqiptare…
TCH