Një avion privat i pilotuar nga një biznesmen i pasur gjerman fluturoi në një vijë të drejtë nëpër Evropë, pasi siç duket humbi aftësinë për t’u kontrolluar, përpara se të përplasej në Detin Baltik, duke vrarë atë dhe tre persona të tjerë që ndodheshin në bord.
Mijëra njerëz ndoqën gjurmimin në internet të Cessna Citation të regjistruar në Austri dje pasdite teksa fluturoi për dy orë në të gjithë Francën dhe Gjermaninë si një “avion fantazmë”, ndërsa përgjuesit e avionëve të NATO-s dhe kontrollorët e ajrit u përpoqën të lidhnin kontakt me të, për ta rifutur në sistem.
Biznesmeni 72-vjeçar Karl-Peter Griesemann besohet se pësoi hipoksi pas një dështimi të presionit të ajrit në kabinën e “Citation Cessna”, teksa ishte nisur nga Spanja me gruan e tij, Juliane, vajzën e tyre Lisa, 26 vjeçe dhe të dashurin e saj 27-vjeçar.
“Piloti raportoi një problem me presionin e avionit në lartësi dhe duket se ka humbur vetëdijen”, thanë zyrtarët.
Pasi Griesemann nuk iu përgjigj thirrjeve të radios, avionët përgjues ushtarakë u dërguan nga Franca, Gjermania, Suedia dhe Danimarka ndërsa avioni fluturoi drejt destinacionit të tij në Këln. Ai nuk arriti të bënte uljen dhe mbeti në lartësi, duke vazhduar përtej Këlnit në një udhë të qëndrueshme verilindore, qartësisht nën kontrollin e programit autopilot.
Mijëra njerëz panë në faqet online të gjurmimit të fluturimeve teksa avioni i dënuar për t’u rrëzuar fluturoi mbi Balltik dhe filloi të zbriste në lindje të ishullit suedez të Gotland. Me sa duket karburanti në atë pikë ka qenë drejt fundit, ndaj avioni iu drejtua me shpejtësi ujit duke u përplasur me detin në qytetin Letonez të Ventspils.
Midis bizneseve të tjera, Griesemann drejtonte një kompani të avionëve charter të quajtur “Quick Air”, me qendër në Këln.
“Mund të konfirmoj se ishte avioni privat i pronarit tonë, Karl-Peter Griesemann”, tha një zëdhënës i kompanisë.
Ai nuk konfirmoi se Griesemann po kontrollonte timonin, por mediat spanjolle dhe gjermane thanë se ai ishte në kabinë duke drejtuar mjetin ajror. Sipas raporteve, Griesemann kalonte pjesën më të madhe të kohës së tij në një shtëpi afër Cadiz-it dhe fluturonte rregullisht në rrugën për në Këln.
Ndërkohë, gjurmët e naftës dhe mbeturinave u zbuluan në vendin e rrëzimit dhe kishte pak shpresë për pasagjerët e aeroplanit, tha roja bregdetare suedeze.
Sipas gazetës gjermane Bild, piloti i një avioni luftarak danez F16 ishte i fundit që shoqëroi aeroplanin dhe raportoi se ishte dëshmitar i tij duke u rrotulluar në det rreth orës 18:45.
Edhe një traget pasagjerësh i kompanisë “Stena Line” u devijua gjithashtu për operacione të mundshme shpëtimi.
Bild sqaroi se piloti i vetëm raportoi probleme me presionin menjëherë pasi fitoi lartësinë mbi Spanjë.
“Avionët përgjues spanjollë dhe francezë ishin të parët që shoqëruan aeroplanin, duke dështuar të bënin kontakt radio ose vizual me pilotin”, thuhet në shkrim.
Forcat ajrore franceze thanë se kishin ngritur një avion luftarak Rafale nga një bazë afër Lionit pasi kontrollorët francezë u njoftuan nga spanjollët për avionin e heshtur. “Përpjekjet për të bërë kontakt ishin të pafrytshme dhe kontaktet vizuale nuk treguan ndonjë aktivitet të dukshëm në kabinë”, thanë forcat ajrore.
“Edhe avionët ushtarakë nga Gjermania, Danimarka dhe Suedia u përpoqën të bënin kontakt me ekuipazhin, por ata nuk panë askënd”, tha Lars Antonsson, kreu i operacionit suedez të kërkim-shpëtimit.
Ndërkohë agjencia e aviacionit civil letonez shtoi: “Po fluturonte midis Spanjës dhe Këlnit, por kur ndryshoi kurs, kontrollorët e trafikut ajror nuk ishin në gjendje të bënin kontakt”.
Incidenti i ngjan përplasjeve në të cilat pilotët janë bërë të paaftë për shkak të humbjes së oksigjenit dhe aeroplanët e tyre kanë fluturuar nën autopilot deri në mbarimin e karburantit.
Në gusht 2005, Fluturimi 522 i Helios Airways u rrëzua në Greqi, duke vrarë të gjithë 121 personat në bord, pasi humbi presionin në kabinë në një fluturim nga Larnaka, Qipro për në Pragë, Republika Çeke.