Ministria e Drejtësisë ka përgatitur draft-Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit për 7 vitet e ardhshme, ku në fokus është edhe financimi i subjekteve politike.
Në të thuhet se do të synohet publikimi online i të gjitha të dhënave të të ardhurave të tyre, në mënyrë që të jenë të aksesueshme nga të gjithë qytetarët.
Mirëpo si funksionon sistemi aktual i financimit?
Zgjedhjet e vitit 2017 kishin në dispozicion një fond të akorduar prej 600 milionë lekësh për zhvillimin e zgjedhjeve.
Kodi i zgjedhur parashikonte risi, dhe sa i përket infrastrukturës së përdorur për zgjedhjet, realizimi tejkalonte këtë shifër.
Ndaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me Vendimin nr.38, datë 09.02.2017, miratoi strukturën e shpenzimeve buxhetore për Kuvendin e Shqipërisë të datës 18 qershor 2017.
Kjo, duke parashikuar një strukturë buxhetore në shumën totale prej 733 milionë lekësh, pra 133 milionë më shumë.
Nga 733 milionë lekë të akorduara, u realizuan 676 milionë lekë ose 91.6 për qind e fondeve të akorduara.
Fushata e vitit 2021 nisi ndryshe, por nuk kushtëzoi fondet e akorduara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për fondet (kushtuar) fushatës.
Zgjedhjet ishin më të fuqishme nga ana e financimit. Për zgjedhjet e para që u realizuan me Kod Zgjedhor të ri shuma ishte dyfishi i zgjedhjeve paraardhëse të vitit 2017.
Përllogaritjet e shpërndarjes së fondeve paradhënie të vitit 2021, u bënë në bazë të rezultatit të zgjedhjeve në shkallë vendi për zgjedhjet vendore 2015 dhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Gjithashtu, pjesë e përllogaritjes ishin subjektet zgjedhore të cilat nuk kishin marrë pjesë në zgjedhjet e para, por ishin pjesëmarrëse fillestare në zgjedhjet e vitit 2021.
Kushti që duhej plotësuar ishte tejkalimi i kufirit prej 1 përqind i votave të vlefshme të fituara.
Partitë e mëdha kryesojnë me fondet në dispozicion për të drejtuar fushatën.
Baza e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit për vitet 2023-2030 është e ndarë në tre qëllime.
I pari lidhet me parandalimin e korrupsionit nëpërmjet forcimit të mekanizmave ligjorë.
Synimi i dytë ka të bëjë me ndëshkimin e këtij fenomeni përmes rritjes së performancës së strukturave përgjegjëse për ndjekjen, hetimin dhe ndëshkimin e rasteve korruptive.
Dhe qëllimi i tretë, sikurse thuhet në strategji, është ndërgjegjësimi dhe edukimi i brezave të rinj për t’u angazhuar në mënyrë aktive kundër korrupsionit./m.j