Aleanca Partia Demokratike e Rithemelimit me Partinë e Lirisë, kishte premtuar se me nisjen e muajit shtatorë, do të organizonin protesta të fuqishme “kundër regjimit Rama”. Por po mbyllet java e parë e këtij muaji dhe jo vetëm që nuk kanë nisur protestat por nuk ka madje as një datë apo shenja të përgatitjes së tyre.
Pikërisht për këtë çështje është pyetur gjatë një interviste te Euronews Albania, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Nga qyteti i Korçës ku gjendet për fundjavë, ai deklaroi se ato do të nisin së shpejti, por ende nuk është përcaktuar një datë konkrete. Blushi shtoi gjithashtu, se Partia e Lirisë është në koordinim të plotë me Partinë Demokratike, në lidhje me aksionin opozitar.
“Një datë nuk mund ta kemi për momentin, por ju garantoj që do të jetë shumë e afërt.
Shtatori nuk do të jetë fillimi i vjeshtës, por do të jetë nisja e pranverës e një revolucioni antikorrupsion që do ta shporrë këtë bandë sa më shpejt nga pushteti. Jemi në koordinim me Partinë Demokratike, për të filluar sa më parë aksionin politik jo vetëm në Korçë, por në të gjithë Shqipërinë.
Prandaj ju përsëris që shtatori nuk do jetë fillimi i vjeshtës, por fillimi i pranverës demokratike për çlirimin e Shqipërisë”, deklaroi ai./m.j