Policia e Shkodrës ka lënë të lirë 15 personat e shoqëruar pas vrasjes së Ismet Çekores një ditë më parë. Këta persona janë shoqëruar që mbrëmë dhe ditën e sotme janë lënë sërish të lirë.
Mes personave të shoqëruar është edhe Alban Bruçi ndaj të cilit më 25 gusht iu bë një atentat por arriti të shpëtojë pa u plagosur, raporton korrespondenti i MCN TV. Pas këtij atentati policia shpalli në kërkim shtetasin Bajram Çekorja si autor i dyshuar, djali i viktimës Ismet Çekorja.
Pas atentatit ndaj Alban Bruçit mësohet se viktima Ismet Çekorja pak ditë përpara se të vritej është takuar me babain e Alban Bruçit ndërsa palët janë sqaruar mes tyre dhe familja Bruçi është bindur se Bajram Çekorja nuk është autori i atentatit ndaj Albanit pasi dy baballarët kishin një lidhje shoqërore të hershme mes tyre.
Përveç familjeve tashmë edhe policia e Shkodrës ka hedhur poshtë dyshimet se vrasja e Ismet Çekores ka lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçit dhe një gjë të tillë e vërteton edhe fakti se 25 vjeçari është lënë i lirë sëbashku me babain e tij pasi u morën në pyetje nga efektivët pas vrasjes së Ismet Çekores.
Në këtë mënyrë policia vendore e Shkodrës është duke hetuar për konflikte të tjera të mundshme të mëparshme të familjes Çekorja lidhur me vrasjen e 57 vjeçarit. Mbrëmë në Shkodër mbërritën forcat RENEA duke bërë kontrolle por ende nuk është arritur në identifikimin e autorëve të vrasjes.
Ismet Çekorja doli nga shtëpia e tij për të blerë disa birra dhe dyshohet se autorët, dy persona me motor dhe me skafanda në kokë e kanë ruajtur duke iu afruar dhe duke qëlluar menjëherë ndaj tij me breshëri plumbash me armë zjarri pistoletë.
Fakti që autorët kishin skafanda në kokë e vështirëson punën për policinë ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë për të mësuar më shumë mbi dinamikën e kësaj vrasje. 57-vjeçari mori shtatë plumba në trup duke mbetur i plagosur rëndë ndërsa më pas humbi jetën teksa po transportohej në spitalin rajonal të Shkodrës.
Katër ditë përpara se të vritej Ismet Çekorja i doli në mbrojtje djalit të tij Bajram Çekorja duke thënë se i biri nuk ka marrë pjesë në ngjarjet kriminale në katër vitet e fundit për të cilat është akuzuar ndërsa kërkoi drejtësi nga shteti shqiptar. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së Ismet Çekores ndërsa pista se kjo ngjarje ka lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçut ka rënë poshtë dhe po hetohet për pista të tjera të mundshme.