Presidenti turk Recep Tayip Erdogan nuk ndalet ndaj Greqisë. Mediat turke shkruajnë se Erdogan, teksa ndodhej në aktivitetin më të madh teknologjik të Turqisë, Teknofest, në provincën e Samsunit në bregun e Detit të Zi, ka hedhur paralajmërime të forta kundrejt Greqisë. Madje i kërkoi Greqisë të kujtonte historinë e Izmirit, vend që u çlirua nga pushtimi grek në vitin 1922.
“Nëse shkoni shumë larg, çmimi do të jetë i rëndë. Greqi, shiko historinë, kthehu prapa në kohë; nëse shkon shumë larg, çmimi do të jetë i rëndë. Ne kemi një gjë për t’i thënë Greqisë: Kujto Izmirin. Kur të vijë koha, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Siç themi, krejt papritur, mund të vijmë brenda natës,”- tha Erdogan.
Tensionet midis dy vendeve fqinje u rritën pasi Greqia paraqiti një ankesë te Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, për të fshirë një postim në Twitter nga Komanda Tokësore Aleate e NATO-s (LANDCOM) për Ditën e 100-të të Fitores së Turqisë. Kjo ditë përkujton humbjen e ushtrive pushtuese greke në duart e turqve në Betejën e Dumlupinar të vitit 1922. Turqia kritikoi NATO-n për fshirjen e postimit duke e konsideruar një diskreditim identiteti.
/a.r