Në ditën e dytë të reciprocitetit të dokumenteve për hyrje-dalje në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, situata vazhdon të jetë e qetë.
Qytetarët janë shprehur se nuk kanë hasur asnjë pengesë teksa kanë kaluar kontrollet duke përdorur vetëm kartat e identifikimit e tyre. Megjithatë pjesëtarë të KFOR-it vazhdojnë të jenë të pozicionuar pranë zonës për të monitoruar situatën nga afër.
Po ashtu, edhe regjistrimi i automjeteve po vazhdon normalisht. Serbët në veri të Kosovës do të kenë një afat kohore prej 61 ditësh për të riregjistruar targat, duke zëvendësuar ato të lëshuara nga Serbia me ato të republikës së Kosovës.
Në komunat të banuara me shumicë serbe vlerësohen se qarkullojnë 10.000 automjete me targa, të cilësuara nga qeveria kosovare si të paligjshme.
Këto marrëveshjet e arritura disa ditë më parë me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Brukselit dhe Uashingtonit, janë cilësuar të rëndësishme që do të caktojnë edhe ecurinë dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ky dhe viti i ardhshëm janë vendimtarë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Më 18 gusht është mbajtur takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ku kryeministri Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e Lajçakut dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.Dy palët nuk arritën ndonjë marrëveshje atë ditë, pavarësisht raundeve të njëpasnjëshme të diskutimeve që zgjatën me orë të tëra. Megjithatë, më 27 gusht, Borrelli njoftoi se beogradi ka rënë dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse-dalëse për qytetarët e Kosovës.
/e.d