Shqiptarët ende i përmbahen traditave të vjetra dhe një ndër to është edhe zakoni për të mirëpritur mysafirët.
Kështu e nis shkrimin revista ‘CN Traveller’ e cila e quan Shqipërinë një destinacion befasues sa i përket kulinarisë. Pikërisht në mozaikët e pjatave të Mesdheut lindor dhe jugor, shqiptarët po përpiqen të rigjejnë identitetin e tyre pas një të kaluare jo pak të vështirë.
U desh që të larguarit nga Shqipëria, të punonin nëpër kuzhinat evropiane, nga pjatalarës e deri tek kryekuzhinierët, për të njohur potencialin qe ka vendi i tyre në fushën e kulinarisë.
E njëjta gjë ka ndodhur me pronarët e restorantit Mrizi i Zanave, vëllezërit Altin dhe Anton Prenga. Ata punuan në kuzhinat italiane për 11 vite derisa vendosën të hapnin restorantin e tyre që promovon më së miri produktet vendase.
Në afërsi të Lezhës ndodhet Laguna e Patokut ku ka restorante të ndërtuara në kabina të vogla që rrinë pezull mbi ujë, e ku shërbehen peshqit më të freskët në zone, pasi peshkatarët mund të shihen me rrjeta aty pranë duke peshkuar.
“Sa më shumë sakrificë në përgatitjen e pjatës, aq më shumë mikpritje përçon ajo”, thotë Diella Loshi, një Sophia Loren e 60-tave e vendosur në këtë vend në vitet 1990. Ajo vendosi të hapte një restorant në banesën e saj thuhet në shkrim.
Për ta përmbyllur, Restoranti Rapsodia ia ka borxh famën shefit të tij Alfred Marku. Pjatat e tij spektakolare, të servirura në kurse të stilit Master Chef, bëjnë që njerëzit të vijnë në këtë restorant nga të gjitha anët e vendit.
Këto janë disa nga shembujt në qarkun e Lezhës që revista përmend, por pa harruar se Shqipëria është kthyer në një vend me potencial te madh turistik për shkak të natyrës dhe bukurive të saj që kur bashkohen edhe me kulinarinë, mund të cilësohen destinacione që patjetër duhen vizituar.
/a.r