Kosova, Serbia dhe paqeruajtësit e NATO-s përgatiten për tensione të enjten, kur fillon periudha dymujore e zbatimit të rregullores së re por të kontestuar të targave që tashmë ka ngjallur protesta mes komunitetit serb. Shpërthimi i fundit i tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës u shkaktua nga vendimi i qeverisë Kurti për të zbatuar masa reciprociteti për serbët vendas që nga 1 shtatori të cilët duhet të ndërrojnë targat e veturave nga ato serbe në ato të Kosovës.
Mosmarrëveshja buron nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Bisedimet mes të dërguarve të Bashkimit Europian dhe SHBA-së me autoritetet në Serbi dhe Kosovë deri më tani kanë dështuar të zgjidhin çështjen e targave të makinave, megjithëse Beogradi dhe Prishtina javën e kaluar ranë dakord për letërnjoftimet. Pas presionit amerikan Serbia i njohu letërnjoftimet e lëshuara nga Republika e Kosovës.
Gjeneralmajor Ferenc Kajari, komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s prej 3,770 trupash në Kosovë, u përpoq të largojë frikën për mundësinë e shpërthimit të një konflikti.
“Ne po monitorojmë situatën … dhe nuk shohim as një tregues të ndonjë përgatitjeje për një luftë. E di që ka pasur shumë pretendime për luftë të mundshme në Kosovë, por si komandant i KFOR-it gjithmonë kam thënë se po e monitorojmë situatën dhe kjo nuk është thjesht një frazë boshe,” i tha ai Reuters.
Muajin e kaluar, serbët nga veriu i Kosovës, të cilët sfidojnë qeverinë në Prishtinë dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, iu përgjigjën direktivës për targat e makinave duke vendosur barrikada.
“Ne duam normalizim dhe këtë duam ta arrijmë përmes një marrëveshjeje detyruese ndërkombëtare dhe juridike për normalizimin e marrëdhënieve me njohje reciproke nga të dyja vendet”.
Të mërkurën, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç tha se nuk beson se një zgjidhje ishte e mundur.
“Nga 1 shtatori ata (Kosova) do të përpiqen t’i detyrojnë serbët të ndryshojnë targat e veturave dhe nuk mendoj se do të kenë ndonjë sukses të madh”, u tha Vuçiç gazetarëve.
Serbia e cila refuzon të njohë Kosovën e pavarur dhe e sheh atë si pjesë integrale të saj, gjithashtu akuzon Prishtinën për mohimin e të drejtave të pakicës serbe, që përbën 5% të popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Kosovës.
g.kosovari