Nga Altin Ketro
Më 24 maj 2014, grupi kosovar “Asgjë Sikur Dielli”, nxjerr një Youtube këngën “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar”. Video klipi i këngës nis me flamurin shqiptar të periudhës komuniste dhe në brendi të videos gjen figurat e Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Bajram Currit dhe disa personazhe të tjera. Regjisor dhe ilustrues i kësaj video të realizuar në Prishtinë më 14 dhjetor 2006 është Gentian Begolli.
Në fakt, në festivalin “Sunny Hill”, nuk u tund asnjë flamur fizik i kohës së komunizmit. Thjesht u shfaq në ekran LED, video klipi i vitit 2014, i cili gjendet lehtësisht në Youtube. Dhe ky është një ndryshim i madh.
Megjithatë, shfaqja e yllit mbi shqiponjë nuk është asfare përdhosje e simbolit tonë kombëtar, flamurit. Ai flamur, me atë yll, ishte për 45 vjet simboli zyrtar i një shteti të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Mbi atë flamur, për 45 vjet, kanë kënduar himnin të gjitha ekipet tona sportive që kanë përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Vetë autorët e këngës e sqaruan shumë qartë që ajo video nuk ka lidhje fare me komunizmin, por le ta marrim të mirëqenë që nënkryetari demokrat është provokuar e bashkë me të, edhe të tjerë si ai.
Ajo që duhet sqaruar është që PD-ja e ka me yllin në përgjithësi apo me dizajnin e tij në veçanti?
Po të jetë për yje në flamur, ato i kanë Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kosova, Turqia, etj., etj. Po të jetë ylli si simbol i keq, duhet të jetë edhe tek këto flamurët që përmenda.
E kanë me dizajnin e tij? Nëse SHBA ka yje të bardhë në një fushë blu; BE-ja ka yje të verdhë në një fushë të bardhë; Kosova ka yje të bardhë në një fushë blu; Turqia ka yll të bardhë në një fushë të kuqe; Shqipëria komuniste kishte një yll me konture të verdha, në brendësi i kuq, dhe e gjitha në një fushë të kuqe. Pra Shqipëria kishte një yll të kuq në një fushë të kuqe, ku konturet e verdha bënin dallimin midis dy ngjyrave të njëjta.
Në rast se e kanë me dizajnin e yllit në flamur le ta thonë. Por mund ta kenë edhe me vetë yllin, i çfarëdolloj ngjyre qoftë ai, mjafton që të mos jetë mbi shqiponjë.
Plotësisht dakord me të gjitha variantet. Po a thua që ylli (sipas formatit të regjimit komunist) ishte e keqja dhe fatkeqësia e atyre njerëzve që vdiqën kampeve të tmerrshme të atij regjimi gjakatar?
Po ja, e hoqëm yllin në dhjetor 1990. A na ndihmoi mungesa e yllit në flamur që të mos kemi më të vrarë e të zhdukur në demokraci? Që të mos ndodhte vitit 1997 me mijëra të vrarë? Që të mos ndodhte Gërdeci më 26 viktima? Që të mos ndodhte 21 janari me 4 të ekzekutuar pa gjyq?
Këto nuk i them për thjeshtim të çështjes, por ta ngresh një video klip muzikor, të publikuar 8 vjet më parë dhe që muk ka lidhje fare me evokimin e të kaluarës komuniste, në një problem për ndëshkime penale këngëtarësh, regjisorësh, producentësh artistikë, organizatorësh spektakli (ku njëri prej tyre është babai i një Ylli të muzikës botërore), vetëm në selinë e një partie pa vulë mund të dëgjosh marrëzira të tilla. Ndjesë zoti nënkryetar demokrat i fraksionit pa vulë, që përdora fjalën Yll për këngëtaren e famshme Dua Lipa. E kisha pa qëllim të keq.