Kriza energjitike dhe rritja e çmimit të karburanteve ndikoi direkt në industrinë e ndërtimit.
Në qendër të Tiranës kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e të cilave për vitin 2022 kanë arritur deri në 5,000 euro/m², nga 4 mijë euro që ishin mbi një vit më parë.
Për Shoqatën e Ndërtuesve shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, kostoja e lartë për pagesat e punëtorëve dhe të truallit të ndërtimit, si edhe taksat janë arsyet kryesore të rritjes së çmimeve të apartamenteve.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve Arben Dervishi tha për Monitor se për materiale si, alumini, bakri, hekuri dhe çimento janë rritur 200% krahasuar me vjet. Rritje të lartë ka pasur edhe për çmimin e karburantit.
“Tashmë në kryeqytet nuk ka ndërtime më me kosto 300 deri 400 euro për metër katror. Kostoja për apartamente ka arritur deri 800 euro për metër katror, për shkak të rritjes së cilësisë. Për kullat për shkak të përdorimit të materialeve dhe fasadave unike kostot e ndërtimit arrijnë deri në 2,000 euro për metër katror. Pra rritja e çmimeve të apartamenteve po pasqyron trendin e zhvillimit të çmimeve të materialeve të ndërtimit”.
“Nëse kostoja e ndërtimit të një apartamenti në zona të lira ishte 330 euro dhe këtë vit është bërë 500 euro për metër katror kjo reflektohet direkt në çmimin e shitjes i cili nga 800 euro ka shkuar në 1,000 euro për metër katror”, thotë ai. Çmimet e larta të apartamenteve duket se do vazhdojnë pasi kriza energjitike dhe çmimet e karburanteve nga ku varet kjo industri vazhdojnë të mbeten të larta.
/a.r