Kohët e fundit nisi nga funksionimi Projekti i Demonstrimit të Mikroenergjisë “Shumë në një” i Nansha të Guangzhou-t. Ky është projekti i parë i demonstrimit të energjisë që zbatohet mbështetur në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Çështjeve Ekonomike e të Punësimit të Finlandës dhe Administratës Kombëtare të Energjetikës të Kinës.
Projekti përdor teknologji të ndryshme të përparuara që mundësojnë prodhimin e energjisë së pastër dhe përdorimin më efikas të energjisë.
“Objekti i parë i ruajtjes së energjisë termike të shkëmbinjve nëntokësorë në Kinë ka 170 tuba në formë U-je. Ai mund të ruajë nxehtësinë e tepërt nën tokë dhe ne do të jemi në gjendje ta përdorim nxehtësinë gjatë dimrit,” tha Li Tao, menaxher projekti i Zyrës së Furnizimit me Energji të Guangzhou-t, pranë kompanisë së Rrjetit Elektrik të Guangdong-ut.
Li i tha Rrjetit Televiziv Global të Kinës (CGTN) se qeliza e lëndës djegëse me oksid të ngurtë prej 60 kilovatësh e këtij objekti “mund të krijojë ngrohje dhe energji elektrike me efikasitet të lartë dhe ai mund të funksionojë duke përdorur lloje të ndryshme lëndësh djegëse, si gaz natyror, biogaz dhe hidrogjeni”.
“Për sa i përket efikasitetit të pllakave, që i përkasin Sistemit Termik Diellor, është shumë i lartë në krahasim me pajisjet e tjera të ngjashme. Rendimenti i prodhimit të nxehtësisë arrin 52 për qind,” shtoi Li.
Qëllimi kryesor i projektit të demonstrimit është që të ofrojë modele të zgjidhjeve teknike të përsëritshme për të ndihmuar në pakësimin e lëshimit të karbonit.
“Projekti bazohet në përdorimin efikas të energjisë së pastër dhe mund të krijojë ngrohje e energji elektrike në të njëjtën kohë, gjë që maksimizon rendimentin e prodhimit të energjisë. Nëse e shtrijmë teknologjinë e këtij projekti në 20 për qind të parqeve industriale me madhësi mesatare në Guangzhou, vlerësojmë se lëshimi i karbonit mund të ulet me 40 mijë tonë në vit,” theksoi Alex Liu, këshilltar i lartë i Biznesit të Finlandës, një organizatë qeveritare në varësi të Ministrisë së Çështjeve Ekonomike e të Punësimit të Finlandës.
Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar ndërmjet Finlandës dhe Kinës do të çelë rrugën për një bashkëpunim afatgjatë në sektorin energjetik. Marko Tiesmaki, këshilltar për tregtinë i ambasadës së Finlandës në Pekin, theksoi se vendi i tij është i gatshëm të punojë me Kinën si për shkak të fitimeve ekonomike, ashtu edhe të përgjegjësisë për të mbrojtur mjedisin.
“Ne duam të sigurohemi që kompanitë finlandeze do të marrin pjesën e tyre në tregun në rritje të Kinës. Kjo është e qartë, kjo është arsye biznesi. Por ka po ashtu një vullnet të vërtetë për të siguruar që të luftojmë së bashku ndryshimin klimatik. Siç e dimë, ndryshimi i klimës është një dukuri shumë globale, prandaj duhet luftuar globalisht,”tha Tiesmaki.
Në fillim të këtij viti, Administrata Kombëtare e Energjetikës e Kinës shpalli listën e kandidatëve për një kontingjent të dytë projektesh demonstruese në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit.
/e.d