Amerikanët dhe europianët po zbulojnë destinacionet të reja për turizëm brenda Europës. Sipas gjigandit mediatik amerikan “CNN”, Shqipëria është një prej alternativave që ofron gadishulli i Ballkanit kundrejt destinacioneve klasike të Greqisë dhe Kroacisë.
Sipas “CNN Travel”, Shqipëria, një vend shumë më pak i vizituar nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, është ende një sekret që ruhet nga udhëtarët si një destinacion i lirë, por nuk ka gjasa të qëndrojë i tillë edhe për një kohë të gjatë.
“Kroatët dhe europianët në përgjithësi po zbulojnë bregdetin shqiptar. Është përrallor, është tepër i lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra, plazhet, gjithçka”, thotë për” CNN Travel” Alan Mandiç i agjencisë kroate të udhëtimeve Secret Dalmatia.
Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera Shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, dhe Himara e Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me pjata të lira me karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët të kapur direkt nga deti Jon.
Nuk është hera e parë që Shqipëria renditet ndër destinacionet e rekomanduara nga “CNN Travel”.
Ky sezon turistik ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit turistëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar këtë sezon veror. Ka rënë në sy rritja e numrit të vizitorëve nga Amerika Veriore, SHBA-ja dhe Kanadaja.
Në Korrik, në vendin tonë kanë hyrë 1.4 milionë shtetas të huaj, duke shënuar numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.
Sipas INSTAT-it, në muajin Korrik të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 21%. Edhe në raport me 2019-n, që deri tani është konsideruar si viti më i mirë turistik, rritja është rreth 19.2%.
/a.r